Specialja i vazhdon ‘reflektimet’: Kemi lejuar vizita të të paraburgosurve në Kosovë për arsye humanitare, Thaçi ishte 4 herë

22 qershor 2026 | 14:34

Gjykata Speciale ka publikuar një video në rrjetin social X për të treguar kornizën ligjore të kësaj gjykate që “u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare”.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep thotë në video se “në rastin e Hashim Thaçit, për shembull, janë zhvilluar katër vizita të tilla”.

Ajo tha se kornizën ligjore për këtë e kanë miratuar gjyqtarët “duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë nenin 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”.

“Deri më tani, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar 14 vizita të tilla të të paraburgosurve në Kosovë, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjë homazhe dhe të kalojë kohë me familjarët e ngushtë pas vdekjes së një të afërmi”, tha ajo.

Specialja i ka shtuar postimet në X për rregullat dhe standardet e gjykatës pasi një raport i Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit evidentoi se ka pengesa strukturore për lirimin e të pandehurve dhe se një paraburgim çfarë po e vuajnë të akuzuarit, në këtë rast Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, me mundësi shumë të ulët për lirim gjatë gjykimit, dhe ngriti shqetësime sa i përket respektimit të së drejtës për liri dhe siguri që parashihen në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën për Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.

Para disa ditësh, Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka reaguar Gjykatës Speciale pak pasi ajo prezantoi “standardet e gjykimit të drejtë gjatë proceseve gjyqësore” në këtë gjykatë në Hagë.

Avokati shkroi në një postim në Facbook se Apeli i Gjykatës Speciale ka refuzuar çdo kërkesë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim atje me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Konteksti duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të efektivitetit të së drejtës për ankim lidhur me shkeljet e standardeve të gjykimit të drejtë. Të akuzuarit në rastin e krimeve të luftës Thaçi etj, kanë iniciuar 37 ankesa të ndërmjetme dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, shkroi Misetic.

Në deklaratën e zëdhënësit të Gjykatës Speciale, Michael Doyle, u tha se kjo gjykatë garanton “të drejtat për një gjykim të drejtë për të akuzuarit, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtesat për fëmijë vazhdojnë të jenë skema sociale me numrin…