Federeri triumfon në Australian Open

28 janar 2018 | 13:29

Roger Federer ka shkruar edhe një herë tjetër historinë e tenisit, duke fituar sot grand slemin e Australian Open, suksesi i 20-të në një turne të madh, një legjendë që nuk ka ndërmend të perëndojë.

Zvicerani mposhti pas gati 3 orësh lojë 3-2 në finale kroatin Marin Cilic, në një ndeshje me shumë emocione dhe rivalitet (6-2, 6-7, 6-3, 3-6, 6-1). Dy herë Federer doli në avantazh, duke fituar setin e parë dhe të tretë, por po dy herë u arrit nga Çiliq, që fitoi setin e dytë dhe të katërt, duke treguar se është një rival i vështirë. Për Federer, tashmë 36-vjeçar, ky është triumfi i gjashtë në karrierën në Australian Open, duke mbrojtur titullin fituar vjet. Nga nesër, do të jetë numri 1 në botë, duke kaluar Rafael Nadal. Seti i parë është një formalitet për Federerin, një dominim absolut, pasi u shkëput 4-0 që në pikët e para dhe më pas fitoi 6-2.

Loja bëhet shumë interesante në setin e dytë, ku tenistët duelojnë fort për çdo pikë dhe emocionet janë të mëdha. Çiliqi rrit ndjeshëm nivelin dhe duelon fort me Federerin, me tenistët që fitojnë “game” me topat e tyre, ndaj gjithçka vendoset në “tie break”. Në shtesë është kroati që fiton 7-6, duke i shkaktuar zviceranit humbjen e parë të një seti në këtë turne dhe rihap ndeshjen. Mjaft i bukur edhe fillimi i setit të tretë, por pas barazimit 2-2 është zvicerani ai që merr shpejt komandën e lojës, shkëputet 4-2 dhe më pas fiton 6-3, duke treguar një formë të mirë dhe është më agresiv pranë rrjetës. Këtë ritëm Federeri e ruan edhe në setin e katërt, ku shkëputet 2-0, 3-1, por nuk arrin ta mbyllë ndeshjen. Kroati bën një rikuperim fantastik, 5 “game” radhazi dhe fiton 6-3 setin e katërt, duke barazuar për të dytën herë rezultatin e ndeshjes, këtë herë 2-2 me sete.

Edhe me fillimin e setit të pestë është Federer ai që ka komandën e lojës, pasi shkëputet 3-0. Këtë herë ai nuk përsërit më gabimet e setit të katërt, por e ruan avantazhin deri në fund, duke fituar 6-1 dhe krejt takimin 3-2. Pika e fundit ka emocione, pasi vendoset nga pamjet televizive, duke zgjatur disa sekonda festën e Federer. Një triumf i merituar i zviceranit, që feston një tjetër trofe, duke mundur Çiliq për të dytën herë në finalen e një grand slemi, pas atij të një vit më parë në Wimbledon. (Telesport)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori 35-vjeçar Mensur Duraku është i gatshëm të luajë deri…