FËMIJËT E QYTETIT TIM

02 maj 16:10

Xhevahire Krasniqi-Podvorica

“Kafshatë që s’kapërdihet asht or vëlla mjerimi!
Kafshatë që të mbetet në fyt dhe të zë trishtimi…!” Migjeni

Çdo mëngjes, rrugës për në punë, nëpër udhëkryqet e qytetit tim, atje ku ne zakonisht presim të ndizet drita jeshile, shikimin tim e tërheqin tablo trishtuese, të dhimbshme dhe aspak idilike. Janë këto personazhet e përhershme, jo epizodike, të një realiteti të hidhur me të cilin ne ballafaqohemi çdo ditë dhe përherë. Por, nuk janë këto ato personazhe të cilat ne jemi mësuar t’i përcjellim nëpër serialet televizive, të rregulluar me grimin e studiove filmike dhe të vezulluar me dritën e reflektorëve të tyre. Ato janë personazhe të “gjalla”, të prekshme, të vërteta.

Janë personazhe të cilat neve na kujtojnë mjerimin tonë dhe babëzinë e cila na ka kapluar duke harruar se një ditë dhe në rrethana tjera, nëpër udhëkryqet e jetës, atje ku nuk pritet drita jeshile, mund të gjendemi edhe ne, mbase në një formë e në një trajtë krejtësisht tjetër. Sepse, është thënë edhe në Bibel edhe në Kur’an, e që ne nuk preferojmë me dëshirë t’i kujtojmë, ato sentenca të cilat përcjellin këshilla domethënëse dhe të provuara nga jeta për kënaqësitë respektivisht dëshpërimet e rastit të cilat në të vërtetë janë mësime që na japin shpresë për të ecur përpara: “Mos u gëzo o i gëzuar, mos u hidhëro o i hidhëruar”.

Por, a mjafton kjo për këta të ekspozuar ndaj gjithë të këqijave të botës modern, duke filluar prej indiferencës tonë epike deri te injorimi ekstrem i institucioneve shtetërore? Gjithsesi jo. Jo, ngase sofrat e tyre nuk shtrohen me fjalët tona boshe as shtëpitë e tyre nuk ngrohen nga premtimet e zyrtarëve të shtetit, të thëna vetëm atëherë kur këtu vijnë funksionarë evropian a kur duhet tërhequr ndonjë fond nga projektet e miratuara për këtë qëllim. Fonde të cilat pastaj “shkrihen” sa andej e sa këtej.

Kjo nuk është pasqyrë vetëm e qytetit tonë. Fytyra të zbehura të fëmijëve të rreckosur unë kam takuar edhe në vende tjera gjithandej nëpër Evropë e përtej oqeanit. Kam takuar edhe në Tiranë, edhe në Shkup e qytete tjera të rajonit. Zakonisht të komunitetit Rom por jo domosdoshmërish. Në mesin e tyre i gjen të gjitha komunitetet. Së paku në terrene të këtilla mbisundon një tolerancë ndëretnike e jashtëzakonshme. Ata qëndrojnë në shi e në diell, në acar e në furtunë, duke pritur të hapet ndonjë dritare e veturës nga e cila do të duket një dorë e shtrirë me ndonjë kacidhe që ua ofron atyre.

Ata pastaj, duke u përkulur e patjetër duke u falënderuar, largohen tutje për të kërkuar dorën tjetër të shtrirë drejt tyre. Janë këto figurat dhe siluetat e njëjta të cilat ne i gjejmë në romanet e Dikensit, Ygosë, De Amicisit e në poemat e Migjenit. Në ndërkohë që prej sofrave tona të begata, si pa të keq, çdo ditë derdhen sa e sa ushqime nëpër koshat e plehrave të qytetit. Kosha, në thellësinë e të cilëve, tërë ditën, dhe veçanërisht natën, futen duar tjera, të fisit të njëjtë, të fisit të varfanjakëve e të pastrehëve, duke kërkuar ato që çdo ditë teprojnë prej nesh, të hedhura nga frika se mos po shëndoshemi së tepërmi.

Një popull i cili nuk ngritë, rritë dhe edukon e arsimon një fëmijëri e rini të shëndoshë, vështirë se mund të llogaritë në një ardhmëri premtuese. Sepse, duke u nisur prej mësimeve të dijetarëve të shquar, edukimi i drejtë fillon qysh në moshën shumë të re dhe këtu gjithsesi bie edhe kujdesi për mirëqenien, standardin e ushqimin e mirë e cilësor të fëmijëve si një prej parakushteve për një zhvillim më të avancuar. Vetëm shoqëritë të cilat e kanë kuptuar dhe pranuar me kohë këtë standard të natyrshëm, kanë arritur që të sigurojnë regjistraturë adekuate e cila garanton dhe sanksionon çdo devijim nga parimet themelore të cilat mundësojnë që brezat e rinj, si pjesë e korpusit më të gjerë të gjithë popullatës së një vendi, si tërësi, të gëzojë të drejtat dhe liritë për realizimin e nevojave intelektuale e njerëzore. Gjithsesi, për t’u arritur deri të ky standard, është dashur të kalojë një periudhë e gjatë kohore, duke sfiduar sa e sa pengesa e paragjykime të cilat nuk kanë qenë të lehta. Sfida këto të cilat, për fat të keq, në një pjesë të madhe të vendeve të botës moderne, akoma nuk janë tejkaluar.

Por cilët janë faktorët më relevant të cilët ndikojnë në zhvillimin e drejtë të fëmijëve. Cilat janë ato kushte minimale të cilat duhet plotësuar që fëmijët e gjithë globit të jenë të lumtur, ose pjesërisht të lumtur? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, gjithsesi nuk është vështirë. Por, për të eliminuar pengesat dhe faktorët që pengojnë këtë zhvillim, duhet jo vetëm punë e madhe e angazhim vetëmohues por, para së gjithash duhet një vullnet i mirë i të gjithë neve. Ne do mundohemi të identifikojmë vetëm disa prej tyre të cilët mendojmë se janë të rëndësishëm dhe të cilët ndikojnë në avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe në zhvillimin e tyre më të mirë.

Gjithsesi, çdo gjë fillon prej familjes së ngushtë, që do të thotë prindërve. Në ligjet ndërkombëtare dhe ato nacionale është e precizuar se prindërit e kanë obligim, jo vetëm të natyrshëm por edhe ligjor që të interesohen për fëmijët e tyre, ti edukojnë e shkollojnë drejt dhe konform standardeve të përcaktuara. Por, çfarë duhet bërë poqese vetë prindërit nuk i kanë këto kushte dhe mundësi për kujdesin e drejtë për fëmijët e tyre? Sepse, raste të këtilla në mesin tonë ka mjaft. Atëherë këtu duhet ardhur në ndihmë institucionet shtetërore të cilat duhet treguar kujdes që prindërit e fëmijëve të sigurojnë punësim adekuat, strehim dhe kushte tjera për një jetë sa më cilësore për të gjithë.

Edhe shoqëria civile, e cila këtu te ne konsideroj se është mjaft aktive, duhet ofruar ndihmën e tyre nëpërmjet programeve të ndryshme të cilat mund të stimulojë të implementohen me fondet e qeverisë a edhe me programe adekuate të financuara nga institucionet ndërkombëtare, biznese të fuqishme, njerëz me vullnet të mirë a në forma tjera.

Një ndihmë shumë të madhe mund të ofrojnë mediumet, të shkruara dhe elektronike. Nga përvoja mund të konstatojmë se, posaçërisht viteve të fundit, kur mediumet e kanë senzibilizuar një çështje të ndjeshme, lidhur me raste sociale a për familje skamnore të rrezikuara nga varfëria e mungesa e strehimit, rezultatet kanë qenë shumë të mira dhe shumë inkurajuese. Andaj, roli më aktiv i mjeteve të informimit do të ndikonte sa në senzibilizimin e shoqërisë më të gjerë dhe bizneseve të fuqishme po aq edhe do të shërbejë në një farë mënyre edhe si formë presioni ndaj organeve të pushtetit, qoftë ky lokal apo qendrorë, që të veprojnë me shpejtësi dhe pa ngurrim atje ku është më se e domosdoshme. Nëpërmjet programeve senzibilizuese, spoteve të ndryshme propagandues, filmave të shkurtë dokumentarë e emisioneve me temë sociale, edhe njerëzit e rëndomtë, të kamur dhe me mundësi për të ndihmuar mund të ofrojnë ndihmë të konsiderueshme për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve nga familjet e varfra.

Sido që të jetë, deri në një ndryshim radikal të kësaj gjendje, që sipas të gjitha gjasave nuk do ndodhë shpejt, të gjithë ne e ndjejmë përgjegjësinë që kësaj kategorie të popullatës, nga më të ndjeshmet, t’iu ndihmojmë sado pak, jo vetëm nëpërmjet dhurimit të pak parave të imta nëpër udhëkryqet e qytetit por edhe me mirëkuptimin e dashurinë tonë që duhet treguar në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. Sepse, dikur, siç tregonte gjyshja ime e ndjere, sa herë që kthehej sofra a që dërgohej bukë në ara për argatët e fushës, rregull i pa shkruar por i padiskutueshëm ka qenë që të sillet një lugë më tepër, për mysafirin e dëshiruar a për kalimtarin e rastit. Një rregull shumë fisnik, i jashtëzakonshëm i harruar tashmë. Për fat të keq!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka…