Fëmijët që punojnë në vend të shkollës: Një realitet i dhimbshëm në Kosovë
Shkruan: Dr. Sc. Antigona Gashi
Në Kosovë, disa nga fëmijët detyrohen të punojnë për të mbijetuar, veçanërisht nëpër lagjet më të varfra. Fëmijët e vegjël, që duhet të ishin në shkollë, shtyjnë karroca dore të mbushura me produkte të ndryshme të mbledhura për riciklim, duke u përpjekur t’i shndërrojnë ato në disa centë vetëm për të siguruar ushqimin e përditshëm. Fatkeqësisht, kjo dukuri e fëmijëve që punojnë shumë për të fituar pak para, me qëllim që të ndihmojnë familjet e tyre, tashmë është bërë pothuajse e zakonshme në disa komuna dhe lagje të Kosovës.
Përveç kësaj, shumë familje nuk mund të përballojnë shpenzimet për transportin, materialet shkollore, apo janë të detyruara nga nevoja t’i angazhojnë fëmijët në këtë formë mbijetese për t’i ndihmuar në sigurimin e të ardhurave.
Konsekuencat e braktisjes së shkollës
Ja çfarë ndodh kur fëmijët braktisin shkollën, ose janë në rrezik ta bëjnë këtë:
Perspektiva të kufizuara pune: Pa përfunduar shkollën, fëmijët kanë shumë më pak gjasa të gjejnë një punësim të qëndrueshëm.
Krijohet cikli i varfërisë: Braktisja e shkollës përjetëson disavantazhin – më pak arsim, më pak mundësi pune, më shumë varfëri dhe një brez i ardhshëm edhe më i prekshëm.
Përjashtimi social: Fëmijët që largohen nga shkolla shpesh humbasin aksesin në rrjete sociale, në mjediset e strukturuara të të nxënit dhe rrezikojnë të izolohen.
Kosto më e gjerë shoqërore: Për Kosovën, braktisja e shkollës nënkupton që vendi nuk po e shfrytëzon plotësisht kapitalin e tij njerëzor, çka ndikon në rritjen ekonomike, kohezionin social dhe barazinë.
Çfarë masash mund të ndërmerren?
Rritja e investimeve në arsimin parashkollor, transportin për nxënësit në zonat rurale, dhe sigurimi i materialeve shkollore për fëmijët nga familjet në nevojë.
Zbatimi i sistemit për identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik për braktisje dhe rikthimi i tyre në shkollë, veçanërisht për komunitetet margjinale.
Angazhimi i komuniteteve, prindërve dhe institucioneve për ta garantuar që fëmijët të zbatojnë të drejtën për arsim dhe të mos angazhohen në punë që pengon zhvillimin e tyre.
Mbështetja për programe që lidhin arsimimin me aftësitë praktike dhe tregun e punës – në mënyrë që nxënësit të shohin vlerën reale të arsimimit.
Fushata vetëdijësimi për të luftuar stereotipet, diskriminimin dhe praktikat e punës së fëmijëve, veçanërisht në komunitetet më të prekura.
(Autorja ka doktoruar në Lidership Ekzekutiv dhe Drejtësi në Universitetin e Charlestonit)



