Feronikeli në “Zahir Pajaziti” synon ta ruajë pozitën e parë

03 tetor 2018 | 11:02

Derbi i xhiros së tetë në elitë zhvillohet sot në mes të Llapit dhe Feronikelit. Kjo e fundit është lidere dhe këtë pozitë synon ta mbajë edhe pas kësaj ndeshje.

Skuadra e Feronikelit i ka bërë të gjitha përgatitjet për të mbetur në pozitën e parë edhe pas ndeshjes derbi ndaj Llapit, e cila zhvillohet sot (e mërkurë) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Kastriot Rexha ka thënë të martën për “Epokën e re” se Llapi ka një ekip të mirë dhe me lojtarë që kanë përvojë të madhe, por Feronikeli në këtë ndeshje synon të dalë triumfues.

“Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi synim e kemi ruajtjen e pozitës së parë në tabelë. Përballë e kemi një kundërshtar shumë të fortë me lojtarë që kanë përvojë dhe, pa dyshim, kjo është ndeshja më interesante për klubin tonë deri tash. Synimi ynë është fitorja, por normalisht se do të ishim të kënaqur edhe me një barazim”, ka thënë Rexha, i cili ende nuk e di se a do të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të një lëndimi. “Kam probleme me një dëmtim, por ende nuk është dhënë vendimi final nga stafi mjekësor për paraqitjen time në këtë ndeshje. Dëshira ime është të luaj dhe ta ndihmoj skuadrën në këtë derbi”, ka shtuar Rexha. Feronikeli pas shtatë xhirove zë vendin e parë me 17 pikë, kurse Llapi pozicionohet në pozitën e dytë me një pikë më pak.

Mesfushori i Llapit, Edon Zeqiri, për gazetë ka konfirmuar se skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli ka synim të madh në derbin ndaj skuadrës lidere. “Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje derbi dhe synim i Llapit është fitorja, por kundërshtare e kemi skuadrën lidere dhe tri rezultatet janë të mundshme”, ka deklaruar Zeqiri.

Mungesa më e madhe në formacionin e Llapit për këtë ndeshje pritet të jetë Mentor Zhdrella. Krahas ndeshjes Llapi – Feronikeli, sot takohen edhe Drita – Trepça ’89, Liria – Prishtina dhe KEK-u – Ballkani. Të enjten zhvillohet ndeshja e fundit për këtë xhiro në mes të Flamurtarit dhe Gjilanit.

IPKO Superliga

Ferizaj – Drenica   2-0
Të mërkurën takohen:
Llapi – Feronikeli
Drita – Trepça ’89
Liria – Prishtina
KEK-u – Ballkani
Të enjten takohen:
Flamurtari – Gjilani

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri Projektligjet për FSK-në kanë marrë sot miratimin e anëtarëve…