Fetahaj: Titulli dhe Kupa i takojnë Prishtinës

27 prill 2018 | 12:09

Mesfushori Liridon Fetahaj ka thënë se Prishtina në këtë edicion do të ketë një sukses të madh. Sipas tij, kryeqytetasit do të triumfojnë në garën për titull dhe Kupë.

Tri pikë është diferenca e pikëve në mes të skuadrës së Prishtinës dhe lideres së Vala Superligës së Kosovës në futboll, Dritës së Gjilanit, kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund të kampionatit. Pavarësisht prej kësaj diference me skuadrën kryesuese, Liridon Fetahaj shpreh optimizëm se në fund do të jetë skuadra nga kryeqyteti që do të shpallet kampione e elitës. “Ne jemi duke punuar në maksimum dhe besojmë se do të shpallemi kampionë. Jemi të fokusuar vetëm te ndeshjet tona dhe nuk na intereson se çfarë bëjnë kundërshtarët”, ka thënë Fetahaj për “Epokën e re”.

Futbollisti nga Prizreni e pranon se Prishtina ka qenë e dëmtuar në mungesën e fushës së saj por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se “bardhekaltrit” do ta mbyllin sezonin pa trofe. Një sukses tjetër Prishtina synon edhe në garën e Kupës, ku për kundërshtar e ka Vëllaznimin nga Gjakova. “Ne Kupë kemi treguar performacë të mirë dhe tash në finale e kemi kundërshtar Vëllaznimin, i cili është i vështirë, por synimi ynë është ta ngrehim Kupën lart. Ky është një sezon ku e kemi mundësinë ta fitojmë titullin, Kupën, më pas të dalim në Evropë”, ka shtuar ai.

Ndeshjen e radhës Prishtina e zhvillon si vendëse në Pejë ndaj skuadrës së Llapit. Fetahaj e vlerëson skuadrën kundërshtare, por premton tri pikë të reja në rrugëtimin drejt titullit. “Synimi ynë është titulli, prandaj nuk bën të gabojmë kundër Llapit që është një kundërshtar mjaft i fortë, i organizuar mirë dhe me lojtarë cilësorë”, ka deklaruar Fetahaj.

Prishtina nga 28 ndeshje ka grumbulluar 53 pikë, kurse ka regjistruar 15 fitore, 8 barazime dhe 5 humbje.

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ekspertin…