Fetahu i PDK-së kërkon urgjentisht të dërgohen ekipet mjekësore në Dumnicë dhe Llaushë

09 prill 2020 | 15:15

Tri fshatrave të Komunës së Podujevës që kanë qenë në karantinë nga 15 marsi, sot u është hequr masa e izolimit.

Për pothuajse një muaj, këto fshatra nuk kanë pasur mundësi të furnizimit të mjaftueshëm me  ushqime dhe nuk kanë pasur kontrolle shëndetësore.

Për këtë arsye, kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, Naim Fetahu, u ka bërë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që të reagojnë menjëherë në atë zonë.

“Është padyshim lajm i mirë që sot janë hequr masat e izolimit për banorët e fshatrave të Dumnicës dhe Llaushës. Urojmë që të mos kemi më raste të infektuara nga këto vende. Por, ky nuk është aspak moment për të festuar. Përkundrazi, banorët e këtyre dy fshatrave për afro një muaj kanë qëndruar në izolim dhe pa mundësi të furnizimeve adekuate. Komuna dhe Qeveria duhet të reagojnë menjëherë me ndihma konkrete për këta banorë. Në veçanti, të dërgohen menjëherë ekipe mjekësore për kontrollimin e personave me gjendje jo të mirë shëndetësore”, ka thënë Fetahu.

Më tutje, Fetahu, ka bërë me dije se tashmë është shëruar edhe pacientja e dytë nga kjo zonë.

Por, sipas tij, tani qytetarët duhet të kenë kujdes më shumë se asnjëherë, sepse muaji prill pritet të jetë muaji vendimtar.

“Është inkurajuese, po ashtu, shërimi i plotë i pacientes të dytë nga Podujeva. Megjithatë, lufta nuk ka përfunduar dhe armiku nuk është mposhtur. Virusi është ende aktiv në Kosovë dhe po shkon drejt rritjes. Muaji prill është muaji më i rëndësishëm. Ju lutem, qëndroni në shtëpi gjatë këtyre ditëve. Vetëm së bashku dhe duke respektuar vetveten, familjen dhe shoqërinë tonë, do të mund t’ia dalim sa më mirë nga kjo sfidë. Unë kam besim te ju”, është shprehur Fetahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ardian Kastrati Sipas shumë ekspertëve të forenzikës digjitale në…