​Fetahu: Trepça-Ylli finale e paparashikueshme, jemi gati për spektaklin e madh

22 maj 2024 | 11:21

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu e ka cilësuar si të paparashikueshme finalen e pestë ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, nga ku edhe do të mësohet kampioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.

Në një intervistë për KosovaPress, Fetahu ka thënë se ky edicion i Supeligës ka ofruar vërtetë një garë të nxehtë mes klubeve dhe kjo do të kulmojë me finalen e pestë mes Trepçës dhe Yllit.

“Gjithçka që ka ndodhur gjatë këtij stinori të fundit do të shpërfaqet në formën më të mirë të mundshme në këtë finale të pestë. Jemi me fat si sport që e kemi për vitin e dytë më radhë finalen e pestë si ndeshje e cila e përcakton fituesin e titullit. Koinçidencë është që për dy vite me radhë kjo ndeshje e pestë po zhvillohet në Mitrovicë, por unë dua që t’i falenderojë së pari të gjitha ekipet tona të cilat kanë marrë pjesë në gara këtë vit, në veçanti ato të Superligës për të gjithë atë çfarë kanë treguar deri më tani. E kemi vërtetuar edhe njëherë që gara jonë është vërtetë e paparashikueshme…Jemi të gatshëm si federatë, fatmirësisht edhe dy klubet finaliste e kanë bërë punën e tyre më të mirë deri më tani për të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këto ndeshje”, ka thënë Fetahu.

Ai ka shtuar se Federata e Basketbollit ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje, derisa ka bërë të ditur se prezent do të jenë edhe liderët institucional.

“Interesim ka nga të gjitha sferat, do të thotë, personalisht deri më tani i kam më shumë se 50 kërkesa për hyrje në palestrën “Minatori” në ditën e enjte, por është e pamundur t’i përgjigjemi të gjithave pozitivisht sepse kapacitete e palestrave tona janë ato që janë. Unë jam i bindur se edhe institucionet e larta shtetërore do të jenë në parket sepse edhe ato kanë qenë dëshmitare gjatë gjithë këtij viti të një garë shumë të mirë dhe të një atmosfere të jashtëzakonshme…Jam i bindur se interesimi do të jetë i madh, siç është gjithmonë në Mitrovicë sepse Mitrovica është një prej qyteteve që e ka mbushur palestrën edhe në ndeshjet më të dobëta në kampionat e lëre më kërkesat për finalen e pestë”, ka theksuar Fetahu.Sa i përket dy rivalëve, Fetahu është shprehur i bindur se Ylli dhe Trepça janë dy skuadrat meritore për të qenë në këtë pikë pasi këtë e kanë dëshmuar në vazhdimësi të kampionatit.

“Sigurisht që të dy janë me meritë në finale. Në basketboll, jo sikur në futboll dhe sportet tjera është e pamundur pothuajse të fitosh pa meritë, në veçanti në sistemin tonë të garimit ku klubet duhet që ta fitojnë klubin tjetër tri herë për të kaluar në finale dhe tri herë për t’u shpallur kampion. Do të thotë, mund të kesh rastësi që në një ditë ta kesh ditën e mirë apo të keqe dhe ta humbasësh një ndeshje, por tri ndeshje t’i fitosh radhazi ndaj një kundërshtari dhe atë të gjitha brenda dy javësh është pothuajse e pamundur nëse nuk është ekipi më i mirë në pyetje…Kështu që unë them se nesër do të vendosin nuancat, por mbetet të shihet cili do të kurorëzohet kampion”, nënvizoi i pari i FBK-së.

Palestra “Minatori” në Mitrovicë pritet të jetë e stërmbushur me tifozë, andaj i pari i basketbollit ka thënë se është i bindur se nuk do të ketë asnjë incident pasi të dy taboret e tifozëve kanë treguar kulturë të lartë të sjelljes në katër ndeshjet paraprake ndërmjet tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo është mes futbollistëve të shumtë që kanë reaguar…