
Fetoshi: Dy vjet pas Banjskës, Serbia vazhdon strategjinë hibride kundër Kosovës
Arben Fetoshi, drejtor në Institutit Octopus, ka kujtuar dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke e cilësuar atë si dëshmi të apetiteve shoviniste të Serbisë dhe boshtit revizionist të mbështetur nga Rusia.
“Dy vjet pas inkursionit në Banjskë, Ballkani vazhdon nën kërcënimin e apetiteve shoviniste të Serbisë dhe boshtit revizionist në krye me Rusinë”, shkroi Fetoshi.
Ai theksoi se pas dështimit të Radoiçiqit, Serbia e ka zhvendosur strategjinë drejt mjeteve hibride si dezinformimi, mashtrimi diplomatik dhe spiunazhi.
Sipas tij, një pikë kthese ishte dhjetori 2021, kur SHBA vendosi sanksione ndaj Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe rrjetit të tyre kriminal. Këto masa, sipas Fetoshit, ishin “një urdhër i heshtur për Kosovën që të mos e lejonte sundimin e krimit në veri”.
Ai kujtoi se tentativa e armatosur në Banjskë kishte për synim destabilizimin e veriut dhe imponimin e një kordoni sigurie ndërkombëtar, por dështoi falë kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe koordinimit me aleatët.
“Serbia inskenoi narrativa mashtruese për ‘terrorin e Kosovës ndaj serbëve’, ‘ngacmimin e vajzave e grave serbe’, e ‘rrezikimin e trashëgimisë serbe’, me qëllim demonizimin e institucioneve tona”, shkroi ai, duke theksuar se këto fushata ishin pjesë e një strategjie më të gjerë për destabilizim.
Fetoshi paralajmëroi se dyvjetori i Banjskës nuk duhet parë thjesht si një përkujtim, por si paralajmërim: “Koordinimi i Serbisë me Rusinë përbën kërcënimin më serioz për paqen në Kosovë dhe rajon.”