Feyenoordi shkarkon Robin van Persien
Fund i papritur i aventurës së Robin van Persiet në stolin e Feyenoordit.
Klubi holandez ka konfirmuar shkarkimin e legjendës së futbollit holandez vetëm pas një sezoni të plotë në krye të skuadrës, pavarësisht se e udhëhoqi ekipin drejt vendit të dytë në Eredivisie dhe kualifikimit për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Ish-sulmuesi i Arsenalit, Manchester Unitedit dhe kombëtares së Holandës kishte kontratë deri në verën e vitit 2027, por drejtuesit e rinj të klubit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin pas një analize të brendshme të sezonit.
Sipas drejtorit teknik Devy Rigaux, vendimi u mor duke marrë parasysh rënien e rezultateve dhe zhvillimin e stilit të lojës si në kampionat ashtu edhe në garat evropiane.
Van Persie e mbylli sezonin në vendin e dytë, por Feyenoordi mbeti 19 pikë prapa kampionit PSV Eindhoven dhe pati periudha të gjata me rezultate të dobëta.
Kritikat ndaj trajnerit 42-vjeçar u shtuan gjatë muajve të fundit për shkak të paraqitjeve të paqëndrueshme dhe tensioneve të raportuara me disa futbollistë të skuadrës.
Holandezi mori drejtimin e Feyenoordit në shkurt të vitit 2025 dhe gjatë mandatit të tij drejtoi ekipin në 58 ndeshje zyrtare.
Kështu, një tjetër emër i madh i futbollit evropian largohet nga pankina më shpejt se sa pritej, ndërsa Van Persie do të duhet të presë sfidën e radhës në karrierën e tij si trajner.



