FIFA dhe UEFA konfirmojnë ndryshimet statutore të FFK-së dhe kërkojnë proces zgjedhor pa ndërhyrje nga palë të treta
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) kanë konfirmuar zyrtarisht se Federata e Futbollit e Kosovës ka amendamentuar statutin e saj në përputhje të plotë për harmonizim me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s dhe Ligjin nr. 08/L-277 për Sportin, rekomandimet dhe kërkesat e nxjerra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti.
Në një shkresë të përbashkët drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, FIFA dhe UEFA theksojnë se këto ndryshime janë rezultat i një procesi konsultimi gjithëpërfshirës ndërmjet FIFA-s, UEFA-s, FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke rikujtuar se përfaqësues të dy institucioneve kanë qenë të pranishëm në të gjitha Kuvendet e FFK-së ku janë miratuar ndryshimet statutore.
Në të njëjtën kohë, FIFA dhe UEFA nënvizojnë rëndësinë e respektimit të parimeve të pavarësisë institucionale dhe zhvillimit të procesit zgjedhor të FFK-së pa asnjë ndërhyrje të padrejtë nga palë të treta, duke sqaruar se çdo vendim që lidhet me qeverisjen dhe anëtarësinë e FFK-së bie ekskluzivisht në kompetencën e organeve të saj statutare.
Po ashtu, FIFA dhe UEFA konfirmojnë se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt 2026, për të vëzhguar zhvillimin e procesit në përputhje me Statutin e FFK-së.
Letra e plotë e përbashkët e UEFA-s dhe FIFA-s mund të lexohet në linkun në vijim.




