
Fillojnë punimet e ujësjellësit në Mamushë, projekti kap vlerën 1,8 milionë euro
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të fazës përfundimtare të projektit të ujësjellësit për Mamushë.
Përveç zëvendësministrit Mjeku, në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç dhe kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ”Gjakova”, Hasan Krasniqi.
Zëvendësministrit Mjeku ka theksuar se projekti me dy faza, ku faza e parë është në përfundim, kap vlerën e 1,8 milionë eurove, prej të cilave 1,2 milionë janë ndarë nga Ministria e Ekonomisë, ku përveç Mamushës, projekti shërben edhe fshatrat Krushë, Piranë, Zojz e Medvec, duke sjellë ujin e pijes nga liqeni i Radoniqit.
Ai ka vlerësuar se Mamusha, e banuar kryesisht nga komuniteti turk, mirëpriti këtë investim me rëndësi jetike për qytetarët.
Po ashtu, Mjeku ka pohuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar me mbështetë përmirësimin e shërbimeve publike për të gjitha komunitetet e vendit.