Fillojnë punimet për modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës fikse me fibra optikë në rrjetin e Telekomit

05 maj 2025 | 15:58

Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan të hënën fillimin e punimeve për shtrirjen e rrjetit optik të Telekomit të Kosovës, një projekt strategjik që shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve fikse të komunikimit në të gjithë territorin e vendit.

Gjersa u prit nga kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, së bashku me drejtorin teknik Halil Krasniqi, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe kryetarin e Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, kryeministri Kurti u informua për detajet teknike, hapësirën gjeografike që do të mbulohet dhe ndikimin konkret që ky investim do të ketë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Projekti përfshin zgjerimin e rrjetit optik në tërë territorin e vendit, duke mundësuar akses në: internet me shpejtësi të lartë (fiber), shërbime të avancuara televizive (IPTV/OTT) e linja moderne telefonike.

“Po e bëjmë vendosjen e fibrave optikë këtu në Fushë-Kosovë që do të jetë shumë i dobishëm si për amviseritë, ndërtesat banesore, gjithashtu edhe për zonat industriale për bizneset e vendit tonë. Telekomin e Kosovës kjo udhëheqje e ka gjetur në 50 milionë euro borxhe, dhe në vitet 2023 dhe 2024, së bashku e kanë kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse me 15 milionë euro fitim, dhe që është veçanërisht e rëndësishme, në fund të vitit të kaluar, bashkë me gjigandët e teknologjisë nga Suedia dhe nga Kroacia, Ericsson dhe Tesla, kemi bërë modernizimin e rrjetit dhe e kemi mbuluar gjithë territorin e republikës, përfshirë edhe katër komunat në veri të Ibrit, me rrjetin 4G dhe 5G”, tha kryeministri.

Ai shtoi se punimet po fillojnë në Fushë-Kosovë e do të shtrihen anembanë territorit të vendit, gjersa falënderoi ministren Rizvanolli, kryeshefen Burbuqe Hana, menaxhmentin, bordin dhe të gjithë punëtorët e Telekomit për këtë rezultat të përbashkët, për cilësinë e shërbimeve në rritje dhe çmimet e përballueshme.

“Po ashtu jemi larguar prej disa operatorëve të ndryshëm të cilët na kanë pajisur me teknologji prej vendeve të cilat nuk janë mike me Kosovën dhe e kemi bërë zëvendësimin, tash çdo gjë e kemi me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s dhe Telekomi i Kosovës do ta ketë përkrahjen e aksionarit, pra Qeverisë së Republikës, për të vazhduar, për ta shtrirë rrjetin e optimizuar edhe më tej, pra edhe fiks edhe mobil”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryeshefja Hana, nga ana e saj, falënderoi qeverinë për mbështetjen dhe theksoi përkushtimin e Telekomit për të vazhduar me rezultate konkrete e investime të zgjuara, ndërsa nga bordi i Telekomit u theksua përkrahja nga ana e qeverisë dhe mbështetja deri në arritjen e operimit me fitim të Telekomit të Kosovës dhe investimeve që janë zhvilluar në rrjetin mobil e tashmë po zhvillohen në atë fiks përmes fibrave optikë. Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, gjithashtu falënderoi edhe punëtorët e Telekomit për punën e tyre dhe angazhimin dhe qeverinë për mbështetjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas gjashtë muajsh zvarritje, është shtyrë sërish seanca në GJKKO…