Fillon punën Bordi Drejtues i Sigurimeve Shëndetësore

02 maj 2018 | 13:31

Pas emërimit ditë më parë nga ana e Qeverisë së Kosovës të Bordit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), në Ministrinë e Shëndetësisë, u mbajt sot takimi i parë i këtij bordi që është organi më i lartë vendim-marrës i Fondit në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor.

Në këtë takim konstituiv, anëtarët e Bordit janë njoftuar nga ushtruesi i detyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi lidhur me përgjegjësitë e këtij organi, ndërkohë që me vendim unanim të anëtarëve të Bordit, kryesues i Bordit, në bazë të parimit të rrotacionit për vitin e parë, do të jetë dr. Naim Bardiqi, përfaqësues i MSh-së në këtë bord.

Gjithashtu, në këtë takim, Bordi ka vendosur që të fillojnë përgatitjet për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili njëherësh do të jetë edhe sekretar i Bordit të Fondit pa të drejtë vote, si dhe për disa çështje teknike që lidhen me punën e Bordit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 11/42, të datës 19 prill 2018, Bordi drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka këtë përbërje: Naim Bardiqi nga Ministria e Shëndetësisë; Xhevat Zejnullahu – Ministria e Financave; Izedin Bytyqi – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Rrezart Halili – Oda e Mjekëve të Kosovës; Naim Ismaili – Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Muhamedali Kodra – Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Mandati i të emëruarve në Bordin Drejtues është trevjeçar.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e ekonomisë së 19 vendeve që ndajnë euron është…