Filozofia politiko-strategjike e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

02 shkurt 2020 | 12:26

Akademik prof. dr. Hakif Bajrami

(Ose rrëfimet e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit në vetën e parë njëjës)

Në bazë të argumenteve arkivore mund të thuhet se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha kishin planifikuar luftë speciale, e cila ndryshe mund të quhet neoluftë. Këtë strategji çlirimtare ata e sajuan si nxënës të Akademisë “Skënderbej” në Tiranë. Këta heronj të kombit do ta luftojnë paleoluftën në anën tjetër, deri në atë shkallë saqë nuk dihet në “artin” e tyre të luftës, e kishin përparësi shporrja e okupatorit, apo zakonet e vjetra të paleoluftsë: ku vriten gra, fëmijë, pleq e plaka, dhunohen femra e meshkuj, digjen shtëpi dhe rrënohen përmendore të të gjitha llojeve. E kundërta, filozofia e shkollës së Zahirit, Edmondit dhe Hakifit si luftë speciale, si neoluftë do të thotë se nuk guxonte të përlyhet e të identifikohet lufta e drejtë me luftën koloniale. Këtu peshon esenca e luftës sonë çlirimtare të cilës iu bashkua pas shumë peripecish tërë bota e civilizuar. Ishte kjo luftë risi globale, sepse Zahiri është i pari ndër të parët, që po e mësonte këtë shkollë e që mbante emër të kryeheroit që ishte mit popullor e që duhej çmitizuar me veprimtari të dëlirë kombëtare,deri në realizëm.

Për këtë mësim të tyre në atë akademi prestigjioze ushtarake shqiptare-Skënderbej, çarqet intelektuale majtiste në Kosovë me kohë e dinin në detale se cili është misioni dhe si nxirret profesioni prej kësaj shkolle. Dhe kohë pas kohe në kontaktet e rralla se si të rreshtohemi në luftën politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës, që të tre ishin të një aksiome, se pa gjak nuk ka liri dhe çlirim të Shqipërisë kontinentale.

Në takimin e parë më 10 maj 1995 mësova se Zahiri dhe Hakifi e kishin të njëjtin koncept të luftës. Por, nuk kisha asnjë informatë se ata ishin plot dituri strategjie dhe teori sinkronizuese, se si duhet zhvilluar lufta speciale, për çlirimin e Kosovës. E ata kishin shkuar shumë larg në përvetësimin e asaj filozofie të Gjergj Kastriotit. Luftën speciale aty kah mbarimi i vitit 1996 këta heronj e kishin pjekur në doktrinë në leksionet që i merrnin kohë pas kohe në Akademinë “Skënderbej” në Tiranë, plus me literaturën me të cilën furnizoheshin. Një mësim i pashmangshëm i tyre ishte se: “Nëse e mëson historinë e familjes patriotike shqiptare, nëse mbështetësh në patriotizmin e rilindësve dhe patriotëve që organizuan dhe bërën luftë të drejtë, ke investuar në ardhmëri, sepse mëson dhe nxjerr aksioma për lavdinë e saj”. Në vijim nga këta heronj kisha mësuar se: “Shqiptarët nëpër shekuj, gjuha e përbashkët nuk i ka lejuar të përçahen në trafe e krahina të hasmëruara, siç ka ngjarë te shumë popuj. Tash shqiptarët duhet t’i bashkojë një faktor determinues që do të thotë, se duhet të shprehën përmes gjuhës shqipe, se janë një zë i dëlirë etnik. E këtë faktor determinues që e forcon kombin kudo që jeton, është kryefjala e luftës së drejtë prej së cilës do të dalim fitimtarë. Të dëmtuar po, dhe në shikim të parë me plot plagë në turp. Por, lufta jonë e drejtë nuk do të jetë as frontale e as guerile, por ka lindur nga nevoja dhe rrethanat që të shpërthej në një luftë speciale, në të cilën okupatori, do të krijojë bindje se e ka armik: çdo rrugë, çdo urë, çdo kthesë, çdo shtëpi, çdo lagje, çdo fushë bereqeti, çdo pyll e mal. Pra, armiku nuk guxon të ndihet askund i lirë. Pesha e luftës sonë të drejtë speciale duhet të ndihet kudo, madje edhe në zyrat më të sofistikuara të armikut duhet të shkelë pasiguria, se vdekja e dhunuesit, e sistemit të tij gjakatar është me afat dhe ajo bombë është me sahat, që regjimin e okupatorit e përcjellë vdekja kurdo, si hija e vet, sepse sahati është në duart tona. E ne kur duam e kurdisim”.

Pra luftës sonë të drejtë, mëson filozofia komando e Zahirit, duhet t’i maturohet e aprovuar nga populli, i cili në fazën e njomë të luftës, do të ngritë dilema, por pjekuria do të vijë ngadalë, por e sigurt si nevojshmëri e pashmangshme, sepse është domosdoshmëri, sepse nuk mund të jemi më thes i vrimave në Evropën e progresit dhe diturisë kolektive, sepse ne duhet të bëhemi pjesë e saj pasi që kemi qenë dikur bërthamë kryesore e asaj tërësie plotë plagë të pashëruara E këtë progres dhe dituri kolektive që e ka siguruar Evropa në shekullin XX, nuk ka shans që ta çlirojmë e të bëhet pronë popullore me luftën tonë të drejtë pa famën e Kastriotit, pa sakrifica dhe pa përkushtim, sepse pa asnjë dilemë krisma e armëve tona, duhet ta shënojë fundin e shpirtit të përgjakur me trupin tonë, i cili do të grumbullojë energji rinore, posa t’i shënojmë viktimat e para të dhunuesve që rrahin popullin në pikë të ditës, dje e sot nëpër pazare, trena, autobusë, shtëpi dhe ara, punishte individuale e kolektive, ku rrahet një për t’i frikësuar të gjithë. Këtë realitet e mësonte kryeheroi i UÇK-së, duhet ta ndryshojmë dhe do të ndryshojë mos me dëshirë, atëherë me grykën e pushkës, që nuk përlyhet në njerëz të pafajshëm në asnjë rrethanë.

Vrasja e aspirantëve të dhunës shtetërore, detyrë speciale për t’u liruar prej tyre

Së pari duhet të shënohet sistemimi i tyre si dhunues se a do të likuidohen dhunuesit dhe hafijet e okupatorit, sipas peshës-gradave, apo rrethanave. Për këtë specialitet duhet të vendosë çeta speciale, me komandë dhe disiplinë rigoroze ushtarake të tipit komando, pa e lakuar kurrë famën e Kastriotit. Lufta jonë speciale, mësonin Zahiri, Hakifi dhe Edmondi e ka hapësirën gjeografike, gjerësinë dhe gjatësinë e limituar. E para dhe dyta (hapësira dhe lartësia për shkak të armatimit të kufizuar janë në pozitë delikate, kurdoherë sepse kuadrot mungojnë). Ndërsa gjatësia e luftës as nuk fillon e as nuk mbaron me neve. Kjo luftë speciale, duhet zhvillohet në shkallë permanente dhe pa pushim në intensitet. Aty ku bie unë, e vazhdon ti, aty ku biem të dytë, e vazhdon i treti, aty ku biem të tretë, aty pikërisht ngritën dhjetë kreshnikë të lirisë, dhe kështu deri në pambarim, deri në çlirim sepse më së shumti besojmë në qenien tonë, në përkushtimin tonë të drejtë.

Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në takimin vijues do ta shprehin një aksiomë trigonometrike ushtarake, që e fshehë lufta e drejtë, e që nxjerr leksione nga filozofia e historisë skendërbegiane, koncept ky që kishte gjetur perfeksionim në Tiranë, të mësuar urtësisht nga pedagogët e akademisë, gjithnjë duke e ruajtur famën e emrit. Kur jemi të ky nivel i edukimit ushtarak dhe zbatimi i tij në praktikë, Zahiri sidomos, do të shtrojë pyetjen e mbijetesës së luftës së drejtë. Në pyetjen pse kanë mbijetuar shqiptarët, në luftërat permanente të luftës së pabarabartë (?), do të përgjigjet pa hezitim: “Sepse shqiptarët kurrë nuk kanë pasur problem me vetidentifikimin, pa marrë parasysh se kanë qenë të ndarë në tri fe e janë varrosë në tri palë varre veçmas. Pra shqiptarët kanë jetuar së bashku, por në botën ‘tjetër’ kanë pushuar me tre flamuj. E këta flamuj duhet të unifikojmë në një sikurse alfabetin e dalë nga Kongresi i Manastirit. Në këtë rrafsh çarqet tona respektive, edhe pse janë ndërruar okupatorët e kanë mundur dhe shpesh i kanë shërbyer atij (okupatorit), prapë shqiptari ka mbetur si reprezentues i vetidentifikimit, pranë kroit, pranë burimit, pranë vatrës në të cilin okupatori vijues ka pi ujë, por me droe. Pra është krijuar koncept, se i huaji nuk ka perspektivë, është në kalim në trojet tona. E okupatori është fare mirë i informuar se ai “përfaqëson” okupim , se ai e din se luftën më në fund e ka të humbur.

Sot (1996), ata që na përfaqësojnë në politikë, mund t’i kanë nga e dy e tri fytyra polidimensionale. E ne që krijojmë koncept tjetër mbi ndërtimin e lirisë, duhet të lëvizim drejt për ta shpëtuar fytyrën e parë, atë të vërtetën, atë të kombit dhe heroit të tij, se luftën e kemi përnjëmend dhe seriozisht dhe me asnjë çmim nuk guxojmë ta përlyejmë famën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Zahiri, na thonë Hakifi dhe Edmondi, kishte politikë të veprimit, strategji të fitores dhe diplomaci të bindjes së dy veprimeve që lindin dhe vdesin në të njëjtin çast, por koha dhe jeta ngadhënjejnë pa pushim. Mu për këtë dhe jo vetëm për këtë, Zahiri thellë besonte në largimin e okupatorit me luftë të drejtë, sepse kuadrot do t’i dëmtohen, armatimin nuk e ka përparësi, sepse motivi jonë për liri është armë më e fortë, sikurse vetëtima, dhe është në raport dhjetë me një në favorin tonë e këtë fuqi ia dhuron koha që punon për neve. Por ky njëshi, është i fuqisë shkatërruese sa që çdo pozicion të okupatorit do ta bëjë copë e grim, kudo që frymon. Okupatori, do të mbetet duke i lidhur copat e grimat pas çdo aksioni që ne e kryejmë. E ne, do ta zhvillojmë aksionin vijues, që do të jetë shumëfishë më trishtues, jo për civilë, jo për njerëz pa faj, por për uniformën dhe efektivat e tmerrit që një ditë duhet të shporrën përgjithmonë.

Koha punon për kauzën tonë, do të shpreheshin Hakifi dhe Edmondi. Kurse Zahiri do t’i plotësonte se “kauza e ndrydhë kohën dhe të dyjat okupatorin”. Një ditë okupatori me dhunën e vet, do të bërët hi e shpuzë, nga trashësia. E grimcat e asaj shpuze nuk do t’i ndërtojmë ne në mozaik, por do t’i përplasim edhe më tej në humnerën e historisë, sa që nga shkallmimi që do të mësojnë nga arma jonë, nuk do të këndellën ma kurrë. Okupatori ma nuk do të mbetët as flakë, as shpuzë e as hi. Shkurtë e shqip, okupatori do të shporrët në shkretëtirat e veta. Në këtë filozofi, të luftës ne nuk jemi larg ngrohtësisë atdhetare të Avni Rrustemit. Por, nuk mendojmë se çështjen do ta zgjedhë pushimi i një jete, sa do tradhtar i egër të jetë. E kemi fjalën për infeksionin individual dhe kolektiv në radhët tona. Me këtë staf, që do të pretendojë okupatori ta kthej në fis nënshtrues tërë kombin tonë, ne do t’ia shkëpusim rrënjët, dhe shumë shpejtë gjethet e asaj peme të egër, do të vyshkën deri në turp e trishtim. Prandaj, kjo sëmundje infektive e okupatorit dhe hafijeve e saboterëve, që si fatamorganë do të ketë sukses dy ditë, të tretën nuk do të ketë jetë mbi tokë për te, sepse Republika e Kosovës është diçka më tepër. Republika e Kosovës, do të jetë sepse është ëndërr më e fuqishme për çlirim se çdo termet, që krijon relief të ri mbi tokë.

Zahiri, Hakifi, Edmondi nuk kishin dallime në aksione, sado që po mësoheshin së bashku në shkollën e “barotit të lirisë”. Në rastet kur duheshin të vendosin sekondat, e të shënohet historia, mësonin ata, nuk ka pyetje: cili është i pari, por cili është më i rrufeshëm, më komando dhe më efektiv, sepse pastaj armët tona nuk do të na e falnin, sepse ne nuk bëjmë gara ndërmjet vete, por ne bëjmë gara mbi efektin e luftës sonë të drejtë dhe sublime çlirimtare, ku përfshihet çdo pëllëmbë e tokës robëruar në luftën e drejtë. Nuk ka ma shembuj se kur lufton Drenica, Llapi heshtë e Shala krehët, e Dukagjini e Karadaku bëjnë dasma. Jo të gjithë me një komandë, të gjithë në një front, të gjithë nën një flamur të Kastriotit dhe me komandë të dëlirë shqipe.

Pse i kemi rrokur armët

Sepse populli ynë nuk është i lirë edhe kur shkon në arë, edhe kur shkon në xhami e kishë, sepse kur shkon në shkollë fëmiu, sepse kur shkon në pazar i zoti i shtëpisë, sepse kur e mbjell arën, sepse kur e korrë bereqetin, sepse kur shkon te miku për vizitë, nuk guxon të ndihet i çiltër, i gëzuar e i hareshëm, sepse gjithmonë duhet të ndihet i mërzitur, i dëshpëruar dhe pa shpresë, se nesër do të ketë çati e strehë që nuk i pikon. Shkurtë e shqip, njeriu ynë shqiptar duhet, në këtë regjim që do ta shporrim, të mos jetojë si lepuri në therë, gjithmonë me dro. E atë dro do ta kthejmë në këngë hareje dhe barazie për të gjithë, pa urrejtje racore, fetare e kombëtare.

Ne i kemi rrokur armët sepse njeriu i jonë, duhet ta nderojë pylltarin, tagërmbledhësin, mësuesin, kolonistin, e që të gjithë nuk flasin shqip, por Kosova nuk duhet të lejohet që të sllavizohet. E të gjithë të tjerët që nuk flasin sllavisht, janë soj që okupatori ka vendosë t’ua garantojë jetën. E ne atë jetë të tyre do ta shporrim. E ne nuk e garantojmë as okupatorin e as jetën e atyre hafijeve që dhunojnë dhe grabisin pa pushim pronën tonë, historinë tonë. E kundërta, pushka jonë është kundër tërë kësaj errësire kundërmuese shoviniste. Ne nuk mundemi ma të durojmë që çirilica dhe sllavizimi të na e ndalë frymëmarrjen kudo dhe kahdo, për mos me lërë të jetojmë si njerëz. Prandaj, luftën tonë, kauzën tonë ngadalë bota e qytetëruar, sidomos bota perëndimore do ta kuptojë se ku pushon rrënja katrore e saj në kohë dhe hapësirë.

Do ta transformojmë jetën në tërësi

Ne nuk do ta transformojmë lirinë sepse nuk luftojmë për kontra liri. Por, liria e jonë është si ajri. Atë duhet ta konsumojë ai që ka nevojë për të dhe që e meriton dhe e respekton rregullin e ligjit universal, të cilin nuk do të i përshtatnim e as shartojmë, por nuk do të jemi hakmarrëse, racistë dhe ksenofob, e as aristokratë dhe elitistë, sepse nuk do të kemi respekt nga shkolla jonë skendërbegiane, pra do të grumbullojmë miqësi me popujt dhe qeveritë që e kanë dert shovinizmin dhe iu kanë kthyer ardhmërisë se të gjithë qytetarëve. E ne nuk luftojmë që t’i çlirojmë shqiptarët dhe t’i robërojmë të tjerët. Lufta jonë është e dëlirë dhe mu për këtë do të triumfojë, sepse me neve do të jenë të gjithë popujt dhe qeveritë që duan dhe ndërtojnë pushtet dhe shtete të barazisë ekonomike dhe qytetare. Kjo për faktin se para ligjit dhe gjyqit e drejtësisë universale, në këtë rrugë edhe para Zotit dhe zërit të popullit, të gjithë do të jemi të barabartë. Lavdi të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, Adem Demaçit dhe Adem Jasharit-legjendarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derbi i Premier Ligës për këtë xhiro zhvillohet sot nga…