Finalizohen përgatitjet për organizimin e testit të maturës

25 maj 2018 | 17:35

Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) i kryesuar nga kryetari Fehmi Hysenaj, ka mbajtur të premten takimin e radhës për finalizimin e përgatitjeve për organizim të Maturës Shtetërore 2018, i cili fillon më 28 maj në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt.

Kryetari Hysenaj, gjithashtu ka marrë pjesë edhe në takim me Kolegjin e Drejtorëve Komunal të Arsimit, ku gjithashtu temë qendrore ishte organizimi dhe mbarëvajtja e testit të maturës.

Në të dyja këto takime u theksua nevoja për angazhim maksimal dhe respektim të vendimeve të MAShT-it sa i përket detyrave dhe përgjegjësive që kanë të gjithë të angazhuarit në këtë proces, por edhe të nxënësve.

Në mënyrë që ky proces të shkojë sipas planifikimeve, ministri Bytyqi ka marrë disa vendime, sipas të cilave parashihen masa ndëshkuese për ata që nuk i përfillin rregullat.

Në bazë të këtyre vendimeve, askush nuk lejohet që të hyjë në klasë me celularë, përfshirë këtu edhe administratorët, ndërsa komisionerët janë personat kryesorë përgjegjës për qendrat e testimit, kurse nga një mbikëqyrës do të caktohet për pesë administratorë.

Përveç telefonave, nuk lejohet asnjë lloj materiali tjetër që mund të jetë burim i të dhënave lidhur më përmbajtjen e testit. Ndërsa, kushdo që nuk i respekton rregullat, fillimisht largohet nga procesi i administrimit (administruesit), apo nga testimi (nxënësit) dhe pastaj ndaj të njëjtëve do të merren masa adekuate konform rregullave dhe akteve ligjore administrative.

Për dallim nga vitet tjera, sivjet testi i maturës organizohet për katër ditë më radhë (pjesa e parë) dhe katër ditë pjesa e dytë, të ndara në rajone ku radha është përcaktuar me short publik, ndërsa pyetësori do të jetë i ndryshëm secilën ditë, por me ekuivalencë të njëjtë të vlerësimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar të…