Finlanda dhe Suedia janë të angazhuara për anëtarësim të përbashkët në NATO

02 shkurt 2023 | 16:50

Finlanda dhe Suedia mbeten të përkushtuara për t’u bashkuar me NATO-n, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë ndaj kandidaturës suedeze. Kështu kanë thënë kryeministrat e të dy vendeve në një konferencë të përbashkët për media në Stokholm të enjten, më 2 shkurt.

Turqia ka thënë se mund të miratojë aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO përpara asaj të Suedisë, por presidentja dhe ministri i Jashtëm finlandez e kanë hedhur poshtë këtë ide, duke argumentuar se siguria e dy vendeve nordike varet nga njëra-tjetra.

“Nuk më pëlqen kjo atmosferë, pozicioni ku Suedia paraqitet si një fëmijë problematik në klasë. Nuk mendoj se është kështu.

“Suedia gjithashtu plotëson të gjitha kërkesat që nevojiten për t’u bërë anëtare e NATO-s”, ka thënë kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, raporton “REL”.

Ndërsa kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se vendi i tij vazhdon t’i bindet një marrëveshjeje trepalëshe për anëtarësimin në NATO të nënshkruar vitin e kaluar midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë.

“Ne e nisëm këtë udhëtim së bashku dhe e bëjmë rrugëtimin drejt anëtarësimit së bashku”, tha Kristersson, duke iu referuar përpjekjeve të Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Por, atyre u duhet miratimi në Parlamentin turk që t’i bashkohen aleancës perëndimore ushtarake.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimet e këtyre dy shteteve për në NATO, pikë së pari për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetrari i…