Fitore e lehtë për Yllin, Vëllaznimi forcon vendin e pestë

08 mars 2024 | 11:17

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore të thellë ndaj Istogut me rezultat 63:133 (13:28, 20:38, 13:34, 17:33), në javën e 23-të të Prince Caffe Superligës, në përballjen që u zhvillua në Therandë.

Therandasit dominuan nga fillimi deri në fund, duke ngritur epërsinë minutë pas minute, për të triumfuar në fund me 70 pikë dallim, 63:133.

Arian Azemi shënoi 22 pikë për Istogun dhe kishte edhe gjashtë kërcime e katër asistime, derisa te Golden Eagle Ylli u dalluan Alonzo Verge Jr me 21 pikë e shtatë kërcime, Jan Palokaj me 16 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime, si dhe Aaron Jones me 15 pikë e 13 kërcime.

Istogu mbetet në vendin e fundit me një fitore e 22 humbje, derisa Golden Eagle Ylli tani ka 14 fitore e nëntë humbje, aq sa ka edhe Sigal Prishtina.

Vëllaznimi shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj Bashkimit me rezultat 84:78 (30:25, 25:19, 9:10, 20:26), në takimin e javës së 23-të të Prince Caffe Superligës.

Kuqezinjtë e nisën sfidën më mirë me epërsi prej nëntë pikësh, 17:8, por prizrenasit rikthehen për të afruar shifrat në 23:21, derisa çereku i parë përfundon 30:25. Vendasit për një nuancë ishin më të mirë edhe në periudhën e dytë, për të thelluar epërsinë e për të shkuar në pushim me rezultat 55:42.

Perioda e tretë u karakterizua me pak pikë të shënuara, ndërsa në dhjetë minutat e fundit, skuadra nga Gjakova kishte epërsi deri në 17 pikë, 69:52, por prizrenasit tentuan rikthimin e madh, por arritën vetëm të zvogëlojnë shifrat në 76:70, por Vëllaznimi në fund triumfoi 84:78.

Më të mirët te Vëllaznimi ishin Jalen Ray me 25 pikë, Jordan Dallas dhe Craig Osaikhwuwuomwam me nga 15 pikë, kurse te prizrenasit më i miri ishte Altin Morina me Altin Morina me 22 pikë.

Vëllaznimi përforcon vendin e pestë me dhjetë fitore e 13 humbje, kurse Bashkimi është në pozitën e gjashtë me tetë fitore e 15 humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të vizitojë sot Turqinë…