Fitore e Trepçës në kryeqytet

23 prill 2024 | 13:48

Prishtina e Trepça e kanë luajtur të hënën mbrëma ndeshjen e fundit të xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Fitore me rezultat 41:38 ka shënuar skuadra mitrovicase.

Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë në kryeqytet. Për Prishtinën ishte ndeshja e fundit këtë kampionat. Përfundoi në pozitën e pestë me 23 pikë. Trepça e ka ndeshjen e mbetur ndaj Vëllaznimit, turneun final të Kupës dhe më pas plejofin.

Në plejof starton prej pozitës së katërt dhe në gjysmëfinale do të përballet me Rahovecin. Trepça i ka 32 pikë nga 27 ndeshje.

Në ndeshjen pa shumë presion, Trepça nisi shkëputjen pas minutës së 15-të. Pas pjesës së parë rezultati ishte 22:16 për mitrovicasit. Në pjesën e dytë Prishtina u afrua në një gol, 39:38, por Trepça shënoi për 41:38 dhe për dy pikë të reja.

Shpëtim Mehmeti udhëhoqi Trepçën me 11 gola. Tetë i kishte Yassine Henahen, ndërsa pesë Wael Mtibba. Nëntë gola për Prishtinën i shënoi Albi Gjuka. Gjashtë i kishte Vladyslav Napadailo e pesë Sergio Barreto.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksierja Donjeta Sadiku e cila ka fituar normën Olimpike po…