Fitoren e Kurtit e solli pjesëmarrja e madhe e votuesve të rinj

08 tetor 14:43

Analisti politik Shkelzen Maliqi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit e ka vlerësuar befasues.

Ai ka treguar për faktorët që kanë ndikuar në këto rezultate të zgjedhjeve. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Maliqi ka thënë se fitoren e liderit të LV-së, Albin Kurti, e ka sjellë pjesëmarrja e madhe e votuesve të rinj në këto zgjedhje.

“Faktori kryesor mendoj se ka qenë pjesëmarrja jashtëzakonisht e madhe në këto zgjedhje, sidomos e votuesve të ri. Kjo do të thotë se kësaj here kanë votuar mjaft të tillë që zakonisht abstenojnë. Ka qenë edhe vota e protestës për dështimet e mëdha të qeverisë së kryeministrit Haradinaj (i cili është humbës më i madh i zgjedhjeve së bashku me Fatmir Limajn e Nismës)”, ka thënë Maliqi.

Ai ka deklaruar se në këtë rezultat ka ndikuar edhe komoditeti i LDK-së se do të dalë partia e parë. “Në fitoren e Albin Kurtit mbase ka ndikuar edhe fushata me mjaft komoditet e LDK-së, e cila ishte e bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje duke nënçmuar mobilizimin e jashtëzakonshëm të Kurtit”, ka thënë ai.

Maliqi pret që institucionet e reja të formohen nga LDK-ja dhe LV-ja. Sipas tij, këto dy subjekte duhet t’i dëgjojnë preferencat e ndërkombëtarëve. “Dy subjekte me kapacitetet që kanë, duhet të dëgjojnë me vëmendje sugjerimet faktorëve ndërkombëtarë që edhe na kanë mundësuar të pavarësohemi, e tani kërkojnë të krijojmë sistem stabil demokratik. Është vështirë e arritshme, por jo e pamundshme”, ka thënë Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, si i keni parë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit?
Maliqi: Më kanë befasuar mjaft sepse në sondazhet paraprake, që i kisha realizuar tri javë më parë, LDK-ja printe bindshëm, me 9 për qind diferencë. Në analizat e këtij sondazhi, e edhe një tjetër që ka qenë i përafërt me tonën, parashikonim se kjo diferencë mund të ngushtohet, pra që Vetëvendosje t’i afrohet LDK-së. Këtë parashikim e bënim për shkak se vota e papërcaktuar ka qenë bukur e madhe dhe Kurti tregonte qartë se po punon edhe për mobilizimin e votës nga diaspora. Megjithatë, na dukej shumë e vështirë që të përmbysej kjo përparësi e madhe e LDK-së. Mendonim se gara do të jetë e ngushtë, por renditja do të mbetej kështu: LDK-ja e para, LV-ja e dyta, PDK-ja e treta, koalicioni AAK – PSD dilte i katërti, kurse koalicioni Nisma-AKR-PD nuk e kalonte pragun prej 5 %. Këto parashikime dolën të sakta, madje edhe me përqindje siç i nxori ‘exit polli’ dhe rezultati zyrtar i KQZ-së. Ka qenë interesant se edhe gjatë ‘exit pollit’ që e realizova për “Klan Kosovën”, deri në orën 12.30, deklarimet e të anketuarave pasqyronin se LDK-ja printe me 8 për qind. Vetëm pas orës 15 filloi një cunami i votave për Vetëvendosjen që e përgjysmoi distancën dhe dy orë më vonë edhe e shkriu atë duke i dhënë një përparësi të lehtë LV-së.

“Epoka e re”: Çka mendoni se ka ndikuar në fitoren e z. Kurti?
Maliqi: Faktori kryesor mendoj se ka qenë pjesëmarrja jashtëzakonisht e madhe në këto zgjedhje, sidomos e votuesve të ri. Kjo do të thotë se kësaj here kanë votuar mjaft të tillë që zakonisht abstenojnë. Ka qenë edhe vota e protestës për dështimet e mëdha të qeverisë së kryeministrit Haradinaj (i cili është humbës më i madh i zgjedhjeve së bashku me Fatmir Limajn e Nismës). Haradinaj mezi e ka siguruar votën tradicionale në bastionet dhe këtë në koalicion me PSD-në, për të cilën do ta shohim se sa është dërrmuar ose zbehur pasi që të numërohen votat për deputet. Pastaj, shumë veta po më thonë se kanë qenë në mëdyshje kujt t’ia japin votën, Vjosa Osmanit apo Albin Kurtit, dhe duke qenë të bindur se koalicioni i tyre është i pashmangshëm, por u përcaktuan për Kurtin sepse kishin frikë se Vjosa nuk mund t’u bëjë ballë fraksioneve të LDK-së që në rrethana të caktuara dhe presione, do të hynin sërish në koalicionin me PDK-në. Në fitoren e Albin Kurtit mbase ka ndikuar edhe fushata me mjaft komoditet e LDK-së, e cila ishte e bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje duke nënçmuar mobilizimin e jashtëzakonshëm të Kurtit.

“Epoka e re”: PDK-ja si parti e tretë ka paralajmëruar shkuarjen në opozitë. Si e shpjegoni rënien e saj?
Maliqi: PDK-ja e ka filluar reformën mjaft rrënjësore të brendshme në momentet më kritike të rënies së përgjithshme të popullaritetit, të atribuimit të të gjitha mëkateve të qeverisjes së saj 11-vjeçare dhe spastrimit të radhëve të saj nga personalitete me akuza për korrupsion dhe nepotizëm edhe në rastet kur ata kanë qenë figura me rëndësi që kanë siguruar shumë vota. Duke e pasur parasysh këtë, PDK-ja nuk ka kaluar keq, mund t’i ketë fituar rreth 25 deputetë dhe mbetet formacion më elektorat të rëndësishëm. Është aplauduar edhe për mënyrën se si e ka pranuar humbjen dhe kalimin dinjitoz në opozitë. Mendoj se do të luajë rol të rëndësishëm të opozitës konstruktive në proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në periudhën e ardhshme.

“Epoka e re”: Po ashtu, konstatuat se koalicioni AAK-PSD nuk ka dalë mirë në këto zgjedhje, kurse Nisma-AKR-PD nuk arritën ta kalojnë pragun. Pse ndodhi kjo?
Maliqi: AAK-ja është ndëshkuar për shkak të politikave mujshare dhe jo të menduara mirë të kryeministrit, kurse PSD-ja dhe Nisma sepse janë formacione të vogla që kanë dalë nga çarjet e partive. Asnjëra prej tyre nuk ka mbijetuar gjatë. AKR-ja që nga fillimi ka qenë një ballon parti e miliarderit Pacolli e cila ka qenë në rrënjë të vazhdueshme dhe mbahej në skenë falë akrobacioneve me koalicionet, tani është ndëshkuar mendoj përfundimisht.

“Epoka e re”: Me këtë përbërje të Kuvendit, sa sfidues do të jetë krijimi i institucioneve të reja?
Maliqi: Për momentin nuk shihet ndonjë alternativë e koalicionit LV-LDK. Nëse ajo bëhet me baza të shëndosha programore dhe pa improvizime, duke respektuar maturinë e përvojën e LDK-së, por edhe vrullin për ndryshime të LV-së, mund të bëhet një koktej këndjellës për demokracinë e brishtë të Kosovës. Mendoj se faktori ndërkombëtar do ta marrë seriozisht zgjedhjen e elektoratit të Kosovës, por edhe Albini me Vjosën, përkatësisht dy subjekte me kapacitetet që kanë, duhet të dëgjojnë me vëmendje sugjerimet e atyre faktorëve ndërkombëtarë që edhe na kanë mundësuar që të pavarësohemi, e tani kërkojnë që të krijojmë sistem stabil demokratik. Është vështirë e arritshme, por jo e pamundshme.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit,…