Partitë gjobiten me rreth 360 mijë euro për shkelje zgjedhore

08 tetor 14:35

Procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, vlerësohet se ka qenë i organizuar mirë dhe me transparencë, por, megjithatë, subjektet politike garuese në zgjedhje janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me rreth 360 mijë euro për shkelje të ndryshme brenda këtij procesi.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka bërë me dije për “Radion Evropa e Lirë” se deri në ditën e zgjedhjeve, më 6 tetor, janë gjobitur 13 subjekte politike.

“Deri më tani, sa i përket ankesave për fazën e para fillimit të fushatës zyrtare të zgjedhjeve, për fushatën zgjedhore, për heshtjen zgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve, janë paraqitur apo PZAP-i ka pranuar 269 ankesa gjithsej. Ndërsa shumë totale e gjobave të shqiptuara ndaj të gjitha subjekteve politike, për të gjitha ankesat që i theksova më lart–me përjashtim për ditën e zgjedhjeve, që ende nuk janë shqyrtuar ankesat që kanë arritur dhe janë dorëzuar dje në PZAP – është 359 mijë e 550 euro. Në këto gjoba përfshihet gjobitja e 13 subjekteve politike”, ka thënë Desku.

Partitë që janë gjobitur janë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Lista Serbe, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, koalicioni Nisma, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, Partia e Romëve të Bashkuar të Kosovës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Pavarur Liberale, Partia Liberale Egjiptiane, Vakat, Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Lëvizja për Gorën.

Desku ka shtuar se arsyeja e gjobitjeve, gjatë fushatës, ka qenë vendosja e panove në hapësira publike, përdorimi i fëmijëve në fushatë, presioni ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votës, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, vendosja e materialeve zgjedhore propaganduese në rrugë publike.

“Ndërsa, sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore, kryesisht kanë qenë: përdorimi i rrjeteve sociale, ekzistimi i materialeve propagandistike në rreze prej më afër se 100 metra nga aty ku kanë votuar qytetarët, porositë me SMS, thirrjet përmes telefonave për të votuar për subjektin apo kandidatin e caktuar, thirrjet për votim në Facebook, transmetimi i spotit politik publicitar, përdorimi i fotove në rrjete sociale gjatë heshtjes zgjedhore, e të tjera”, ka thënë Desku.

Kryesuesja e Misionit të Bashkimit Evropian në zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë mbajtur me 6 tetor në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, gjatë një konference për media në Prishtinë, ka deklaruar zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe transparente, ndërkaq që procesi i votimit dhe i numërimit të votave është vlerësuar pozitivisht.

Sipas saj, fushata zgjedhore ishte e gjallë dhe konkurruese, duke ua bërë të mundur garuesve që të bëjnë fushatë të lirshme në pjesën më të madhe të Kosovës, përveç në mjediset e banuarave shumicë serbe.

“Ambienti i fushatës në trevat e banuara me serb të Kosovës, u cenua nga frikësimi që i vuri në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”, ka thënë Viola von Cramon-Taubadel.

Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cila është pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, që ka mbikëqyrur procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se në një pjesë të aktiviteteve të subjekteve politike, gjatë fushatës, ka pasur shkelje të Ligjit për zgjedhje apo të rregullës zgjedhore.

“Ndër shkeljet më të shpeshta, për të cilat ne si Demokraci në Veprim kemi dërguar edhe ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kanë qenë në lidhje me vendosjen e panove apo materialeve propaganduese në hapësira të palejuara. Ajo çfarë ka rënë në sy në këtë fushatë është gjuha e urrejtjes, e cila është përdorur në masë të madhe nga ana e partive politike, sidomos gjuha e urrejtjes mbi baza politike. Po ashtu, kemi pasur raste të përdorimit të resurseve publike, më saktë, të veturave zyrtare, në veçanti nga ana e subjekteve politike, të cilat kanë qenë në pushtet në nivelin qendror dhe të atyre në nivelin lokal”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, një nga rastet e përdorimit të gjuhës së urrejtjes, por me baza etnike, ka qenë nga Lista Serbe, e cila përmes një video-klipi ka përçuar mesazhe, të cilat janë interpretuar si sfiduese ndaj kushtetutshmërisë së zgjedhjeve.

Në ditën e votimeve, siç ka thënë Cakolli, procesi është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore, por megjithatë, ka pasur disa raste të evidentuara të parregullsive, disa prej të cilave kanë qenë të natyrës penale dhe në disa raste shkelje procedurale nga komisionarët apo nga vet votuesit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë shpallur disa javë pasi që Ramush Haradinaj, më 19 korrik pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini,…