Përplasje në Kuvend: Tahiri kërkon dorëheqjen e Gërvallës, Haxhiu i kundërpërgjigjet

26 tetor 2026 | 19:56

Debat dhe përplasje ka pasur në Kuvendin e Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, ku deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke e cilësuar atë si akt moral dhe përgjegjësi institucionale.

Tahiri ka thënë se gjatë 11 vjetëve në Kosovë janë vrarë 47 gra, ndërsa nga viti 2022 deri në vitin 2026 janë vrarë 20 gra.

Ai ka vlerësuar se këto shifra kërkojnë reflektim dhe përgjegjësi nga institucionet, duke theksuar se debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te statistikat, por te veprimet konkrete për parandalimin e rasteve të tilla.

“Nuk është sot temë analizë statistikore, kush ka bërë e kush nuk ka bërë. Për 11 vjet janë vrarë 47 gra. Prej vitit 2022 deri në 2026 janë vrarë 20 gra. Nëse i përkthejmë në vite, është skandaloze dhe është përgjegjësi institucionale”, ka deklaruar Tahiri në seancën e sotme.

“Duhet reflektim, përgjegjësi dhe Gërvalla duhet të japë dorëheqje si akt moral. Duhet veprime konkrete dhe duhet përgjegjësi morale. Përgjegjësia morale është dorëheqje”, ka thënë Tahiri.

Ndaj deklaratave të tij ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka rikujtuar rastet e vrasjeve të grave gjatë vitit 2019 dhe ka pyetur për përgjegjësinë e opozitës në atë periudhë.

“Pesë gra janë vrarë në vitin 2019. Kush nga ju ka dhënë dorëheqje? Kush nga ju keni folur në Kuvend për këto vrasje? Asnjëri nuk keni folur. Kam qenë ministre dhe e di shumë mirë çka keni bërë”, është shprehur Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, ka folur në seancën e…