Fitorja elektorale që mund të kthehet në turp politik
Sot LVV dhe Kurti testohen për herë të parë pas 9 shkurtit. Nëse e formojnë qeverinë dhe është e qëndrushme më shumë se një kështjellë prej rëre, mund të fesojnë. Por nëse dështojnë të formojnë qeverinë, ata i kenë 400 mijë arsye për reflektim edhe mësime të fuqishme.
Më në fund, sot në ora 10h kemi rastin e parë dhe testimin real për formimin e qeverisë, pas rreth nëntë muajsh nga zgjedhjet e shkurtit.
Kriza politike e shkaktuar nga bllokadat dhe mosfunksionimi i institucioneve kryesore ka lënë pasoja të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen. Energjia dhe ekonomia janë vetëm disa prej tyre, por ka edhe pasoja të tjera politike dhe sociale që do të ndihen gjatë.
Mirë është që sot LVV të arrijë ta formojë qeverinë dhe ta përfundojë këtë krizë e bllokadë institucionale. Ata i kanë të gjitha mjetet dhe levat në dorë për ta bërë këtë. Por, nëse nuk e formojnë qeverinë sot, ky do të jetë një rekord që me gjasë do të mbetet për një kohë të gjatë i pathyeshëm.
LVV ka fituar rreth 400,000 vota në zgjedhjet nacionale, një numër jashtëzakonisht i lartë, duke pasur parasysh se vlera mesatare kredibile për një parti në Kosovë është rreth 200,000 vota.
E nëse LVV dhe Albin Kurti, me gjithë këto vota dhe me 42.3% të përkrahjes, nuk arrijnë ta formojnë qeverinë, kjo tregon për një problem të thellë strukturor brenda vetë Lëvizjes. Problemi lidhet me modelin e bashkëpunimit dhe me mënyrën si e kuptojnë demokracinë parlamentare.
Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të ndodhë që ndokush me kaq shumë vota e përkrahje të mos arrijë të formojë qeveri. Nëse kjo ndodh sot, do të mbetet një rekord historik për nga absurdi dhe për mësimet që sjell. LVV dhe Kurti duhet të reflektojnë rreth kësaj të kuptojnë se demokracia parlamentare nuk është pushtet absolut, por bashkëpunim dhe ndërtim besimi me të tjerët.
E nëse disa parti refuzojnë të bashkëpunojnë me LVV, atëherë edhe vetë LVV duhet të pyesë pse ndodh kjo. Sot është një ditë e madhe për Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, një ditë që do të mbetet në histori me potencial për të sjellë mësime të fuqishme jo vetëm për ta, por për gjithë politikën kosovare.



