Fitues i Çmimit të BE-së për Letërsi, Shpëtim Selmani, botim i “Armagedonit”

19 maj 12:32

Shpëtim Selmani, me librin prozaik Libërthi i dashurisë, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, është shpallur sot fitues në edicionin e dymbëdhjetë të Çmimit të BE-së për Letërsi (EUPL), në të cilin konkurrim Kosova ka marrë pjesë për herë të parë bashkë me 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja). Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Evropian Evropa Kreative e cila ka për qëllim të nxisë dialogun ndërkulturor dhe promovimin e arritjeve artistike në zhanrin e romanit.

Juria e Kosovës, e përbërë nga Lindita Tahiri (kryetare), Osman Gashi, Festa Molliqaj dhe Lindita Rugova, pas shqyrtimit të listës së ngushtë me tre autorë (Azem Deliu me romanin Shënimet e krimbit Smolinski, Majlinda Bregasi me romanin Gërsheti i prerë dhe Shpëtim Selmani me romanin Libërthi i dashurisë) dhe në konsultim me Këshillin e EUPL-së, ka përzgjedhur fituesin për të cilin thotë: “Libri i Shpëtim Selmanit është prozë e risive dhe romani i tij është hibrid i zhanreve të ndryshme si i: prozës poetike, esesë, autobiografisë, ditarit letrar, prozës poetike. Në shikim të parë një kombinim i tillë mund të duket fragmentar, por romani është koherent me tema dhe ide, me rrëfimtarin që përsiat, proteston, dashuron, rebelohet, përqesh dhe vetëpërqeshet, duke përthekuar dimensione të shumta nga personalet deri tek ato politike”.

Mendimi i plotë i jurisë gjendet në uebfaqen e EUPL-së: https://www.euprizeliterature.eu/news/eupl-2020-shortlist

Fituesit e çmimit nga vendet pjesëmarrëse do të jenë pjesë e antologjisë vjetore të botuar nga EUPL, duke synuar një audiencë më të gjerë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët evropiane. Fituesit do të marrin shpërblimin prej 5 000.00 eurosh dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave.

Botuesi i librit të Shpëtim Selmanit, Berat Armagedoni i shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka thënë se po sot menjëherë ka marrë kërkesë nga botuesi bullgar “Colibri”, nga drejtoresha e kësaj shtëpie, Julia Petkova, për ta nisur bashkëpunimin për të drejtat e përkthimit të librit të Selmanit në gjuhën bullgare. “Sot më shkroi Julia Petkova, nga shtëpia botuese ‘Colibri’, e cila kërkoi të dijë për kushtet e përkthimit dhe të botimit në gjuhën bullgare të librit të Shpëtim Selmanit, ‘Libërthi i dashurisë’, të cilin, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, e ka botuar vitin e kaluar shtëpia jonë botuese ‘Armagedoni’. Meqë me autorin ka nja tre muaj që s’jam takuar, me këtë rast po e uroj për këtë çmim, me të cilin jo vetëm atij si autor i librit, por gjithë letërsisë së izoluar shqipe do t’i hapen rrugët evropiane, për t’u përkthyer dhe botuar në një gjuhë tjetër librat që ia vlejnë”, ka thënë Armagedoni për gazetën “Epoka e re”.

(M. Q.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Hans Kluge, drejtor për rajonin evropian të OBSh-së, ka…