Fjala e ndaluar

31 janar 2022 | 08:17

ERIS RUSI

Ja ku ndodhi sërish.

Përballë ka bashkëshorten dhe atij po i përsëritet diçka e rëndë që s’ka guximin t’ia thotë. Asaj i mungon një pjesë e kraharorit, boshllëku i kafshon gjithë dorën e majtë derisa ajo shndërrohet në ajër. Tani që po flasin dhe Ema gjendet për­ballë tij, në vendin e zbrazët ku duhej të ishte mishi i trupit të saj, feks pëlhura e perdeve që mbyllin derën e ballkonit.

Ai nuk bën zë, si t’i tregojë që ka diçka që nuk shkon me të, si ta besojë që ajo që po ndjek me sy është e vërtetë, e gjallë, e prekshme? I lë fjalët e Emës t’i godasin veshin pa i bërë përshtypje dhe i afrohet ta përqafojë. Mirë, në anën e djathtë gjithçka është normale, prek mishin e saj dhe i shtrëngon pëllëmbën e djathtë, por te tjetra, o Zot, i bëhet sikur ndien fëshfërimën e perdes që gjendet disa metra më larg, sikur trazon dorën në ajrin e turbullt që ka veshur atë pjesë të trupit të bashkëshortes dhe për dreq, po, është e vërtetë që ajo nuk është e plotë.

Mbushet thellë me frymë, i shtrëngon një hop sytë dhe përpiqet të kthejë në kujtesë kur ishte hera e parë që ndjeu këtë lloj mungese tek ajo. Ishte e marta e disa muajve më parë, të dy sapo ishin kthyer nga puna dhe shkallët e pallatit i ngjitën të përqafuar me njëri-tjetrin. Ngjanin të lumtur, por nuk ishin tamam të tillë. Kjo dukej te gjërat e vogla që kishin nisur t’ia fshihnin njëri-tjetrit; gjëra që nuk thuheshin në mënyrën e përqafimeve dhe ledhave. Duke ruajtur formën e jashtme, kishin hyrë në shtëpi pothuajse të lumtur dhe me një ngazëllim kraharori, por kur ai ishte afruar ta puthte, buzët e saj… më saktë pjesa e sipërme e buzës nuk ekzistonte më. Ishte e zhdukur krejt dhe pamja përpara i ngjante diçkaje të çuditshme, që nuk të trembte, por që e shpërfytyronte plotë­sisht pamjen e gruas. Kjo kishte zgjatur disa sekonda, pastaj gjithçka ishte rikthyer në rëndomësi. Edhe Ema e kishte puthur me afsh, këtë radhë i kishte të dyja buzët në vend dhe ai pati menduar për një trill të çuditshëm të syve.

Nga ajo ditë, megjithatë, kishte nisur që të vëzhgonte me shumë kujdes gjithçka që ngjante rreth tyre. Bisedat që bënin nuk ishin thjesht biseda për të. Ai po e ndiente se si lindte mes fjalëve një lloj mërie, sikur buronte nga një vend i padukshëm i të keqes dhe që Ema nuk e shqiptonte dot qartë, por që e kishte përbrenda.

– Dakord, – i pati thënë vetes atëherë. – Nuk është e çuditshme që të ketë pakënaqësi ndaj meje. S’jam i përsosur, kemi disa vite që jetojmë bashkë dhe ka mësuar të më njohë më mirë.

Me kaq e kishte mbyllur dhe ishte përpjekur që t’i jepte vetes pamjen më të mirë të mundshme, të bënte gjërat që i pëlqenin më tepër asaj, të ishte i pari që kthehej në shtëpi dhe t’i bënte gati ato që kërkonin kohë dhe lodhje: gatimin, pastrimet, rregullimin e orendive që dergjeshin të braktisura, të thyera, të prishura. Ia thoshte gjërat me kujdes dhe priste të shihte reagimin e saj, por sa më shumë që mundoheshin të flisnin dhe të bënin punë për njëri-tjetrin, aq më larg dhe e huaj i ngjante e gjithë lidhja mes tyre. Ata kishin harruar të kupto­nin njëri-tjetrin dhe gjestet që bënin, i shndërronin në qesha­rakë. Si mund të merresh vesh në një gjuhë të ngatërruar shenjash, kur një fjalë mund të zgjidhë gjithë largësitë në mes? Ema e tij nuk ishte më e tij, ose kështu i dukej atij. Nga gjithë ajo qetësi e dikurshme, që i bënte të lumtur të dy, tani Andrea nuk mbante mend asgjë tjetër, përveç ndjesisë së panjohur që lidhej me ato gjëra të pakuptimta që po ndodhnin tek Ema.

Ja ku ishte tani, ai po e përqafonte atë, po hidhte krahët mbi një trup ku mungonte ana e majtë, zemra, një pjesë e dorës që boshllëkun e lënë e kishte mbushur me pamjen të dukshme të një perdeje ballkoni. Tmerr, o Zot, tmerr dhe çudi!

2.

Andrea kishte hequr gjithçka të tijën, çdo gjurmë e shenjë të pranisë së tij, nga banesa. Këtë gjë po e bënte ngadalë, fshehur, kur Ema nuk gjendej aty. Diku një fotografi, diku një bllok shënimesh, pastaj dhuratat e vogla që kishin shkëmbyer me njëri-tjetrin gjatë viteve. I nxirrte fshehurazi përjashta dhe bënte rrugë të gjatë derisa i hidhte ku mendonte se ajo s’do t’i gjente dot kurrë. Ema nuk kishte vënë re asgjë. Të paktën nuk e jepte veten. Veç kësaj vonohej shumë, shpikte lloj-lloj arsyesh dhe largohej, gjatë, gjatë. Por këto vonesa dhe ftohtësia e saj, e kishin një shpjegim.

– Është faji im, – mendonte Andrea. – Unë kam nisur të mos e bëj të lumtur gruan time të gjorë, – dhe mendja i shkonte te gabimet e dikurshme, te vështrimet që i hidhte mbi të tjerat kur në krah kishte gruan e tij. Jeta e njeriut është e mbushur me padrejtësi të vogla të përditshme, e ai kishte bërë shumë të tilla. Edhe kur ishin njohur, ai ruante gënjeshtrat të vogla bezdisëse nga jeta e dikurshme.

– Po pse duhet të jesh patjetër i sinqertë? – e pyeste veten dhe nuk arrinte dot të buzëqeshte. Tani që gjërat mes tij dhe Emës po merrnin një rrjedhë të habitshme, ai duhej të bënte diçka. Një gjë ishte e sigurt, gruaja e tij ishte gjymtuar nga njëra anë, nuk kishte më pjesën e majtë të trupit, e mbi këtë nuk kishte dyshim.

Kur e përqafonte gruan, ndiente boshllëkun e padurueshëm, pastaj buzën e sipërme që qëndronte orë e orë të tëra e fshirë nga faqja e dheut, kurse flokët…. flokët kishte frikë t’ia përkë­dhelte. Jo, ai nuk e duronte dot atë pamje sa herë që e shikonte bashkëshorten, atë shformim mizor që merrte fiziku i Emës. Ai ishte i vetmi që e shihte dhe duhej të bënte çmos që ta shpëtonte. Po sikur t’i tregonte Emës të vërtetën?

Ema, ka diçka që nuk shkon me ty. Nuk e kë vënë re? Të mungon një pjesë e kraharorit, ana e majtë, zemra, krahu…

Ajo nuk do ta besonte. Ose do të tmerrohej. Kush e di si mund të sillet një njeri po të mësojë papritur që nuk ka një pjesë të trupit të tij. Pa dyshim asaj e gjitha kjo do t’i dukej një shaka e keqe, pa kripë. Mund ta çonte në dreq.

Të bisedonte me familjen e Emës? Po si t’u thuash prindërve që vajza e tyre në vend të kraharorit ka ajër të ndenjur e zbrazëti?

Heshtje. Pellgje të mëdha heshtjeje dhe vetmie nëpër dhoma. Gjithandej. Si një sëmundje e keqe që nuk thuhet dot me zë të lartë. Krevati i kthyer përmbys, i zbrazët, pa fjalë, vetëm një boshllëk që të tërhiqte përfund, një vorbull që nuk dihej nga kishte dalë e tani po i përpinte të gjitha, edhe ndjenjat, kujtimet, dritën. Muzg po bëhej krejt ajo shtëpi.

3.

Duhet të flasim, të flasim Ema. Të flasim. Fjalë, fjalë, fjalë. Më trego, më thuaj gjithë ç’të kalon në mendje, nuk e sheh dhe vetë sa shpejt po krijohet kjo humnerë e errët midis nesh? Nuk flasim, por çfarë po fshehim? Kemi harruar të jemi vetvetja, e tani asgjë nuk duket të ketë kuptim. Më fol, Ema, më thuaj diçka.

Andrea nuk kishte hapur gojë, veç kalonte në mendje frazat me radhë. Ema qëndronte përballë tij e lodhur dhe krejt e shpërqendruar.

Kishte një trishtim të zbehtë në krejt qenien e saj. Përbrenda digjej, por s’ishte flakë që përcëllonte, thjesht i nxinte me tym mendimet. Kështu kishte qenë gjithë këtë kohë, që kur ajo vetë pati nisur të dallonte diçka që nuk shkonte te bashkëshorti. Në fillim gjëra të vogla, ai fliste me vete, buzëqeshte, bëhej nervoz, pastaj e prekte dhe si i elektrizuar kërcente në ajër. E donte dhe do të bënte të pamundurën që t’i jepte pak lumturi. Kjo dreq lumturie që kishte ikur aq shpejt sa kishte ardhur mes tyre.

Mungesë!

S’kishte dashur t’ua vinte veshin këtyre gjërave në fillim, por vështrimi i tij… Ajo dridhej nga dhimbja kur përplaste shikimin me të tijin. Dy zgavra të zbrazëta trishtimi, që tingë­llonin aq fatkeqe. Nuk mund të bënte dot asgjë. Mbulohej nga ethet e një frike të paarsyeshme, të panjohur, të huaj, që i shtangonte zemrën.

– Duhet t’ia them? – e pyeste veten, por nuk guxonte t’i thoshte dot gjë. Ai nuk bënte asgjë konkrete që të ndihej sado­pak e frikësuar. Ja që kur shtrihej në shtrat, pranë tij, bëhej akull e ftohtë, frymëmarrja i ngadalësohej dhe gjithçka që mund të bënte, ishte të pëshpëriste në mendje një lutje të mësuar që fëmijë.

Trishtim!

Trishtimi i ishte shndërruar në një dhimbje fizike dhe Ema ndihej e dërrmuar. S’mund të fliste me askënd. Kaçurrelat e saj që dikur i jepnin hijeshi, tashmë ngjanin pa jetë, sikur të mos i kishte më. Nga lotët që gëlltiste në heshtje, ose kur mbyllej në banjë dhe qante me zë të lartë, buza e sipërme i ishte rrudhosur krejt, i ishte ngurtësuar, sikur të mos e kishte. Më mirë të duronte, edhe pak, ndoshta gjithçka zgjidhej e paqtohej vetiu.

Nuk mbaronin të gjitha me kaq. E kishte nuhatur që prej disa kohësh se gjërat po mungonin në shtëpi. Në fillim foto­grafitë e Andreas. Asnjë e tillë, edhe ato të vënë në kornizë, nuk ishin më. Pastaj kujtimet e sjella nga udhëtimet e tij; asnjë gjurmë nga blloqet e shënimeve që i kishin lexuar shpesh së bashku, duke qeshur me zë të lartë për marrëzitë e moshës.

Vetmi!

Më vonë i erdhi radha të humbnin fotografitë e saj, dhuratat e vogla që kishin shkëmbyer në vite, ashtu si pa u marrë vesh, në fshehtësi.

Tani kur hynte në shtëpi kishte një hapësirë të zbrazët, të madhe, që jehonte e mbushur përplot me frikë. Gjithçka e atyre të dyve ishte përpirë nga faqja e dheut.

– Duhet të flasim Andrea, se kam për të të thënë diçka! – mërmëriti më në fund para tij.

Mungesë! Trishtim! Vetmi!

Vetvetiu vuri duart mbi kraharor, sikur donte të mbrohej, por Andrea nuk lëvizi.

– Ema e ndien që i mungon diçka, e nuhat të keqen, Ema ime, – mendoi bashkëshorti i dërrmuar. E gjitha kjo ishte një sëmundje, një e keqe e madhe, e papërcaktuar, si një tumor malinj që të detyron të operohesh, të heqësh diçka nga trupi yt, me shpresën që vdekja të mos përhapet më tej. Po ja, në vend që t’ia thoshte të gjitha këto, Andrea heshtte, në pritje që ajo t’i fliste. Kur u duk që gjithçka do të zbehej përfund, sesi lëvizën buzët e tij:

– Më do?!

Ajo nuk u përgjigj. Fjala në gojën e saj u ndal në momentin e fundit, kur vështrimi iu bë i mjegullt dhe bota iu duk e zbra­zët, pa kuptim. Andrea e përqafoi. Me dhimbje, e ndjeu që mes tyre kishte humbur gjithçka, pa kthim. Fjala e ndaluar në buzën e gruas, nxinte si një qiell i vranët, me re dhe pikëllim. Ai e shtrëngoi më fort atë trup të heshtur dhe ndjeu kraha­rorin e gruas, zemrën e saj, që mezi rrihte, e ftohtë, pranë tij.

Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ariana Lirey është bërë e famshme për publikun shqiptar në…