FKGK me shpenzime enorme për personel e paga sekrete

30 qershor 2022 | 11:59

Ndonëse menaxhon me para të taksapaguesve vendor dhe ndërkombëtar, menaxhmenti i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nuk është treguar transparent sa i përket pagave të anëtarëve të bordit.

Përkundër insistimit të Buletinit Ekonomik, nga ky institucion nuk i kanë shpalosur për publikun pagat e anëtarëve të bordit dhe mënyrën se si ata kompensohen për punën e tyre.

Vetëm në vitin 2020, ky institucion ka shpenzuar rreth 206 mijë euro për paga të përsonelit, në mesin e të cilëve janë shtatë anëtarë të bordit dhe dhjetë zyrtarë tjerë në administratë. Ndërsa, në vitin 2021, shpenzimet për personel u ngritën në 246 mijë euro.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju lutem referohuni në raportin e auditorit të vitit 2020 që e keni në linkun në vijim dhe që e gjeni në web faqen tonë”, ka qenë shkurtë përgjigja nga Zyra për Informim e këtij institucioni.

Në këtë raport, shpenzimet e personelit, përmenden vetëm në përgjithësi, por jo edhe për secilën kategori veç e veç.

Pagat janë mbajtur sekret përkundër faktit se FKGK-ja menaxhon me para të buxhetit të Kosovës dhe donacione të huaja.

Me këtë institucion menaxhon Besnik Berisha, i cili është në pozitën e Drejtorit ekzekutiv. Ndërsa bordi është në përbërje të Rinor Gjonbalaj si kryesues, dhe anëtarëve Arta Hoxha, Kreshnik Kurtishi, Melih Cadirci, Nol Buzhala e Salvador Elmazi.

FKGK menaxhon me një kapital prej 55.3 milionë euro, dhe si rol kryesor ka garantimin e rrezikut në institucione financiare për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

Donatorët kryesorë të këtij institucioni janë: Qeveria e Kosovës, USAID, dhe KFW.

Në bazë të ligjit, FKGK-ja aplikon një ‘tarifë të garancisë’ përmes së cilës siguron pagat për stafin dhe shpenzimet tjera operative.

Në raportin vjetor të këtij institucioni, thuhet se FKGK-ja është krijuar për të ndihmuar në plotësimin e nevojës për qasje të shtuar në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë. /Buletini Ekonomik/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të financave,…