Flakëroshi

11 shtator 2023 | 14:38

Ymer Elshani

Flakëroshi ishte Ylli më i bukur i bregut nënujor të Detit të Pulëbardhave. Kishte pesë krahë të bukur, të purpurt.

Kur dielli ngrihej në kupë dhe rrezet e tij, si ca shigjeta të arta, binin pingul mbi det, bardhësia llamburitëse e dritës arrinte deri në katet më të ulëta të pallatit të madh me mure e çati prej ujit. Atëbotë në të çdo gjë gjallërohej. Gëzimi përnjëherë gufonte në zemrat e të gjithë banorëve laramanë e të shumtë të tij. Pa vonuar dilnin në shëtitje, bisedonin me plot hare dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit.

Në këto çaste edhe Flakëroshi dukej më i bukur, pothuaj magjik. Nga shkëlqimi i shtuar i dritës, krahët e tij dukeshin si të ishin të artë. Bukuria e tij i mahniste peshqit, koralet flokëgjata, meduzat, algat e blerta, gaforret, zambakët kokëlartë, guacat kapaksedefta, iriqët dhe kalimtarët e tjerë.

Dëgjoheshin pëshpëritjet e shumta:

“Yll i bukur, s’ka fjalë!”

“Ah, si shkëlqen!”

“Të tillë nuk ka në këtë det!”

“Duket si të ishte i praruar me ar!”

“Jetoftë gjatë!”

“Mos i ndodhtë asnjë e keqe!”

Flakëroshi i dëgjonte fqinjët e tij të shumtë.

Fjalët e tyre ia shtonin krenarinë dhe bënin që të ndjehej më i lumtur. Edhe nëna e Flakëroshit, Yllesha Rrembëkuqe, sa nuk fluturonte nga gëzimi, kur dëgjonte të tjerët ta lavdëronin birin e saj.

Kështu shumë kohë. Shumë muaj.

Por, një ditë, Rrembëkuqja u shqetësua papritur.

Një peshk, me emrin Luspartë, jo fort larg Yllit Flakërosh, duke biseduar me shokët e tij, tha:

“Ekziston, o miq, vetëm një Yll i bukur si Flakëroshi. Ai del çdoherë në mbrëmje në skaj të kupës. E kam parë që disa herë nga syprina e detit, pasi perëndonte dielli. Ngritja kokën mbi valë dhe e vështroja. Sa i bukur që është! Duket si të jetë vëlla me Flakroshin…”

Flakëroshin këto fjalë e befasuan. Në fillim u shtang nga habia. Nuk bëzani. Dikur mblodh veten dhe zu të mendojë:

“Nëse është e vërtetë se ekziston ai Yll, siç thotë Peshku Luspartë, atëherë sigurisht ai duhet të jetë vëllai im…”

Kureshtja për ta parë e takuar atë, tashti nuk po e lente të qetë asnjë moment. Më kot mundohej ta fshehte shqetësimin. Më shumë se të tjerët këtë shqetësim e hetoi nëna e tij, Yllesha Rrembëkuqe.

“Ç’ke, o bir? Disi më dukesh i hutuar, i ngrysur…”, e pyeti ajo.

“Oh, nënë, ashtu është!..”, psherëtiu Flakëroshi. “Kam dëgjuar se larg prej këtu, në kupën e lartë, jeton një Yll i ngjashëm me mua…”

“Mund të ekzistojë, Flakëroshi im. Bota është e madhe dhe ka plot mrekulli…”

“Por mua, o nënë, ç’prej se dëgjova për këtë, zemra më buçet disi më vrullshëm. Një mendim dhe dëshirë e çuditshme më ka kapluar të tërin…”

“Ç’mendim e ç’dëshirë, biro?”

“Të shkoj e të takohem me atë Yll…”

Për Ylleshën Rrembëkuqe, këto fjalë qenë të papritura. E goditën më ashpër se ta qëllonin gjilpërat e iriqit. Parandjeu se ato mund t’i sillnin ndonjë fatkeqësi. Heshti një çast pastaj foli:

“Biri im! Unë e di, e këtë edhe ti do ta mësosh më vonë, se përveç në det, në këtë pallatin tonë të kaltër, edhe në qiell ka shumë yje. Por ata, që të gjithë, edhe ai Ylli për të cilin ka rrëfyer Peshku Luspartë, janë larg prej këtu dhe për ne janë të paarritshëm. Vëllezërit e tu janë këtu, në këtë breg nënujor. Ka mjaft yje të mirë që mund t’i duash si vëllezër…”

“Ka yje, nënë, këtu, ka, por asnjë nuk është i bukur si unë. Vetëm ai Yll në kupë më ngjan mua. Sigurisht ai duhet të jetë vëllai im i vërtetë…”

“Po e zëmë se është kështu si thua ti, o bir, por atje nuk mund të arrijë asnjë yll i detit…”

“Unë do të provoj. Një forcë e brendshme më shtyn që të nisem e ta takoj vëllanë e largët…”

Rrembëkuqja edhe më tutje u mundua ta bindte të heqte dorë nga ky mendim, por kur e pa se ai nuk ndryshonte mendjen, i tha:

“Mirë, o bir! Por po më dhimbsesh. Mund të pësosh. Ky det është aq i madh dhe me shumë të papritura…”

Flakëroshi qysh të nesërmen u nis. Udhëtoi nëpër shtigjet e kaltra të detit, drejt lartësive të tij. Ishte gati të arrinte në syprinë, kur deti u dallgëzua. Një valë e egër e mori përpara, e shtyu me vrull dhe e vërtiti mbi një shkëmb. Flakëroshi, u alivanos nga përplasja e fortë. Vetëm pasi kaloi furtuna dhe erdh në vete, pa se njëri krah i ishte thyer. E preku me kujdes, por ajo gjysmë i mbeti në dorë.

“Oh, nënë! Ç’pësova!”, klithi ai. “Më nuk jam i bukur si më parë!… Në këtë gjendje, sigurisht, as vëllai im i largët nuk do të pranojë të shoqërohet me mua…”

I pikëlluar, vendosi të kthehej prapa.

Rendi e rendi, duke i fshirë lotët që nuk po i ndaleshin, dhe u gjend para nënës së tij. Ajo, kur e pa me krahë të përgjysmuar, nuk u dëshpërua, ashtu siç mund të pritej. Kjo ndodhi kështu jo pse ajo ishte e mllefosur që Flakëroshi qe nisur në atë udhëtim pa dëshirën e saj, por nga përvoja e dinte se, në rastet e tilla, krahu përtërihej sërish dhe nga pjesa tjetër lindte ylli i ri. Këtë fshehtësi nuk deshi t’ia sqarojë djalit të saj në këtë mënyrë, si diçka të rëndomtë, që ndodh përherë te yjet e detit, por e përdori për ta bindur se kishte realizuar dëshirën e tij. Në anën tjetër, Rrembëkuqja e dinte se, kur ai të rritej e të kuptonte të vërtetën, nuk do të hynte në rreziqe të tilla.

“Fshij lotët, bir!”, i tha ajo me zë të prajshëm, të qetë.

“Si t’i fshij, nënë? A nuk e sheh ç’kam pësuar?”, pyeti ai duke psherëtirë.

“Po shoh, Flakërosh, po shoh, por mos u pikëllo! Më duket se paske ngadhënjyer. Paske arritur ta realizosh ëndrrën tënde…”

“Për ç’ngadhënjime e arritje më flet, o nënë?!”,  foli i habitur dhe i befasuar Flakëroshi. “Mbeta pa gjysmën e krahut. Më nuk jam i bukur si më parë! Kjo që më ndodhi është fatkeqësi e rëndë, e tmerrshme…”

“Jo, jo. Mos nxito! Diçka, në thellësi të zemrës më thotë se ka ngadhënjyer këmbëngulësia jote. Krahu do të të rritet përsëri dhe nga gjysma tjetër do të lindë një yll i ri. I bukur si ai Ylli për të cilin të ka folur Peshku Luspartë. Të dy, së bashku, pastaj do të jeni yjet më të bukur në këtë det…”

Flakëroshi në fillim nuk besoi. Mendoi se nëna po fliste ashtu vetëm sa për t’ia zvogëluar pikëllimin për mynxyrën që e kishte goditur. Por, pas ca ditësh, ndodhi ajo që i premtoi e ëma: krahu i thyer iu rrit, iu bë i tillë çfarë ishte edhe më parë, ndërsa nga gjysma tjetër lindi një yllth i ri, i bukur, plotësisht i ngjashëm me të!

Flakëroshi i entuziazmuar klithi nga gëzimi:

“Oh, nënë! Sa Yll i bukur!…

“I bukur është, bir… Gëzohem që, më në fund, e ke një Yll-vëlla çfarë ke ëndërruar e dëshiruar!…”, u gjegj ajo e lumtur. Kjo lumturi po i shtohej edhe më shumë, kur kujtoi se si ai qe nisur, pa menduar se ç’mund të pësonte. Vetëm fati deshi dhe, në atë furtunë, nuk u përplas me kokë për shkëmbi, por me krah. Ndryshe nuk do të shpëtonte dhe ajo nuk do të arrinte ta shihte më kurrë. Flakëroshi, që nga kjo ditë, vazhdoi të shoqërohet e të luajë me Yllin e ri, të bukur, i cili u rrit shumë shpejt. Vetëm ndonjëherë, fare rrallë, i kujtohej Ylli i largët i mbrëmjes, për të cilin i pat rrëfyer Peshku Luspartë. Por, kur shihte Yllin e ri, të bukur, pranë, atë e harronte shpejt…

Tregim nga libri “Përjetimet e Bardhoshit”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
tokës që morën 2100 jetë njerëzish. Një tërmet me magnitutë…