Fondi “Vendlindja Thërret”, vlerë që është shtrirë në ShBA dhe në të gjitha vendet e tjera të botës ku ka shqiptarë (26)

09 gusht 2020 | 12:08

Shkruan: Kudusi Lama

Ndërsa për sa i përket fondit “Vendlindja Thërret”, mendoj se është një vlerë që është shtrirë edhe në ShBA e në të gjitha vendet e tjera të botës ku ka shqiptarë, pasi ishte një fond për financimin e luftës për ta shporrur pushtuesin. U vjen mirë ose jo serbëve, ai fond e ka kryer detyrën e tij shumë mirë si fond i luftës. Mënyrat se si kanë ardhur paratë te luftëtarët nuk ka shumë nevojë të merret në analizë, pasi me rëndësi ishte që luftëtarët të kishin mundësi ta kryenin detyrën e tyre në vijat e fronteve. Por ata që i grumbullonin këto para nuk ishin kriminelë e as ata që i jepnin. Të gjithë ishin shqiptarë që kishin dhembje për atdheun e robëruar dhe me mundin e tyre e me sakrifica dërgonin në frontet e luftës aq para sa kishin mundësi të kursenin duke mbajtur vetëm për ta përballuar jetesën e familjeve të tyre. Nderim për të gjithë ata që kanë kontribuar me gjak dhe me para për lirinë që gëzojmë. ShBA-ja e di vetë nëse janë ose jo kriminelë shqiptarët, pasi kanë bërë veprat e tyre në ShBA dhe janë vlerësuar prej sferave intelektuale dhe ligjore. Por ja që edhe atje Serbia i gjen të gjithë shqiptarët kriminelë, sepse kemi thënë edhe më lart, të gjithë ata që kanë investuar e luftuar kundër pushtuesit serbë dhe kolonizimit shekullor të Serbisë duke e nxjerrë atë përfundimisht jashtë Kosovës, janë kriminelë. Unë jam dakord që armiku le të na quajë edhe kriminelë, por nën pushtimin e tij të mos rrimë sepse, po e pranuam këtë për hir të asaj që të mos na quajnë kriminelë, ne do të ishim shuar si komb ose do të shuhemi. Qëndresa ndaj armikut nuk është krim, është lavdi.

“Krahas grumbullimit të parave, emigrantët shqiptarë në ShBA organizonin edhe porosi të ndihmës humanitare dhe armë, si dhe drejtimin e vullnetarëve, të cilët ishin përfshirë në repartet e UÇK-së në Kosovë – Metohi”.[1]

Është e vërtetë që nga ShBA-ja, përveç ndihmave në para, kanë ardhur edhe vullnetarë luftëtarë, të cilët, me luftën e tyre, sidomos me krijimin e batalionit “Atlantiku” në frontet e luftës në Kosovë i dhanë shumë lavdi Amerikës si qendër e demokracisë në botë, por edhe të gjithë shqiptarëve që aktualisht janë qytetarë të ShBA-së.

“Burimet informative amerikane paralajmëronin për mundësinë që në rajonin e Ballkanit shfaqet ‘sindromi kolumbian’, përkatësisht që mafia shqiptare bëhet mjaft e fuqishme dhe merr kontrollin në një ose më shumë zona në të cilat mbizotëron popullsia shqiptare. Në atë kohë është vërejtur se në planin politik një efekt i tillë tashmë është arritur me orientimin e profitit e fitimit të narko-terrorizmit të fituar në pushtetet vendore dhe në partitë politike. Atëherë Partia Demokratike sunduese e Shqipërisë është e dyshimtë se toleron e fiton nga tregtia e narkotikëve, si dhe t’i financojë partitë politike të gjymtuara dhe grupimet e tjera në Kosovë – Metohi e në Maqedoni. Për shkathtësinë në shfrytëzimin  e parave ‘të pastruara’ të fituara nëpërmjet marrjes me narko-terrorizëm, kanë qenë të dyshimta edhe Partia maqedonase për Prosperitet Demokratik  dhe partitë e tjera shqiptare në këtë shtet, sikurse dhe Partia Nacionale Demokratike ultranacionaliste, por edhe partitë shqiptare në Kosovë – Metohi. Paratë e fituara në mënyrë kriminale shpesh janë mbuluar nëpërmjet donacionit të emigrantëve. Fitimi nga narko-terrorizmi, i drejtuar në jug të Ballkanit në vitin 1993, arriti rreth një miliardë dollarë. Burime të njëjta kanë vërtetuar se, përveç blerjes së “mbrojtjes” mafioze këto para përdoren edhe për të fituar popullaritet në popull, nëpërmjet të ashtuquajturit patriotizëm por edhe për veprime të tjera kriminale, para së gjithash për blerjen e armëve. Në kontinentin evropian, shqiptarët e Kosovë – Metohisë mbajnë mbi 80 për qind  të tregtisë së heroinës, degët e tyre gjenden së paku në gjysmën e vendeve evropiane; në muaj ata bëjnë kontrabandë 4 deri në 6 tonë heroinë, kurse vlera e kësaj droge në nivel vjetor arrin dy miliardë dollarë”.[2]

Duket se Serbia e kontrollon mjaft mirë rrjetin e narkotrafikut në Ballkan e në Evropë, pasi i di mirë të gjitha rrjetet e ndërtimit dhe të veprimit të saj. Dhe këtë e nxjerrë prej informacioneve amerikane, siç duket prej lidhjeve të ngushta që mund të ketë me rrjetet kriminale që shtrihen deri atje. Por në këtë paragraf të cituar tërheqin vëmendjen disa çështje që lënë hapësirë për të diskutuar:

Së pari, në qoftë se burimet informative amerikane paralajmëronin për mundësinë që në rajonin e Ballkanit shfaqet “sindromi kolumbian”, përse serbët ua veshin atë shqiptarëve? A nuk janë edhe serbët ballkanas e në Ballkan? A vetëm shqiptarët janë në Ballkan? Ky është një tregues, se sa hapur e ndërtojnë mashtrimin serbët. Sepse dihet që në Ballkan po të ketë rrjet narko-trafiku, nuk mund të veprojnë vetëm shqiptarët, nëse nuk bashkëpunojnë me serbët, me grekët, me bullgarët, me turqit etj. Shqiptarët në Ballkan jetojnë të rrethuar nga të gjitha këto shtete e kombe dhe nuk mund të ketë rrugë trafiku për të ndërtuar “sindromin kolumbian” vetëm me shqiptarët, sepse megjithëse ka momente që edhe në Shqipëri janë parë parcela të mbjella me hashash, ato nuk mund të kenë fuqinë e krijimit të atij rrjeti që pretendojnë serbët. Prandaj, para se t’u venë emrin shqiptarëve si narkotrafikantë, le të thonë edhe që rrugët e drogës për në Shqipëri kalojnë pasi flenë një natë në Beograd, në Athinë, në Sofje, në Stamboll, në Podgoricë etj.

Së dyti, Në ato vite për të cilat flitet në këtë paragraf thuhet se “është vërejtur se në planin politik një efekt i tillë tashmë është arritur me orientimin e profitit e fitimit të narko-terrorizmit të fituar në pushtetet vendore dhe në partitë politike. Atëherë Partia Demokratike sunduese e Shqipërisë është e dyshimtë se toleron e fiton nga tregtia e narkotikëve, si dhe të financojë partitë politike të gjymtuara dhe grupimet e tjera në Kosovë – Metohi e në Maqedoni”. Nuk e kuptoj sa guxim kanë serbët që të akuzojnë një shtet, si Shqipëria si qendër të narkotrafikut. Por unë po habitem se si paska financuar edhe partitë në Kosovë e në Maqedoni dhe për këtë ju akuzoni UÇK-në që në atë kohë nuk ishte deklaruar akoma si strukturë unike vepruese. Akoma vepronin grupe të pa unifikuara ushtarakisht, ishin vetëm të unifikuara politikisht nëpërmjet lëvizjes politike “Lëvizja Popullore e Kosovës”. Për shkathtësinë në shfrytëzimin  e parave “të pastruara” të fituara nëpërmjet marrjes me narko-terrorizëm, kanë qenë të dyshimta edhe Partia maqedonase për Prosperitet Demokratik  dhe partitë e tjera shqiptare në këtë shtet, sikurse dhe Partia Nacionale Demokratike ultranacionaliste, por edhe partitë Shqiptare në Kosovë – Metohi”. Dhe ajo që është për të tërhequr vëmendjen, asnjë nga ato parti në Kosovë e në Maqedoni që i paska financuar Partia Demokratike e Shqipërisë nuk janë bërë përkrahëse të luftës së UÇK-së, bile as vetë Partia Demokratike e Shqipërisë. Pra, si e justifikojnë serbët këtë akuzë? Apo edhe kjo akuzë është si për gjithë rrjedhën e akuzave që të gjithë shqiptarët janë kriminelë. Mirë është në fakt që bëhet edhe kjo akuzë, pasi të paktën u hiqet e drejta atyre që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, që të vazhdojnë t’u bëjnë propagandë këtyre shpifjeve, pasi në mjaft raste ka pasur edhe prej tyre që edhe pa i cituar u janë adresuar në debatet politike dhe mediatike.

Së treti, në citimin e mësipërm thuhet se këto parti një pjesë të parave vërtetë të shumta jo me miliona por me miliarda dollarë, i paskan përdorur për të blerë armë. Nuk di për çfarë i paskan përdorur këto armë, pasi realisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ia kanë dhënë. Meqë e dinë serbët këtë të vërtetë është mirë të na thonë ku kanë shkuar këto armë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës armët në Kosovë i ka futur duke i mbartur në shpinë, dhe qenkan treguar shumë të paaftë pasi paskan pasur mundësinë të blejnë edhe ushtrinë e policinë serbe,sepse paskan pasur gjithë ato para.

Së katërti, duke deklaruar se në “kontinentin evropian, shqiptarët e Kosovë – Metohisë mbajnë mbi 80 për qind të tregtisë së heroinës, degët e tyre gjenden së paku në gjysmën e vendeve evropiane; në muaj ata bëjnë kontrabandë 4 deri në 6 ton heroinë, kurse vlera e kësaj droge në nivel vjetor arrin dy miliardë dollarë”, po shihet se kjo luftë paska qenë shumë e lehtë për t’u kryer. Nuk kuptoj pse atëherë luftëtarët kanë pasur mjaft probleme për sigurimin e armëve e të mjeteve të nevojshme për luftë deri edhe për ushqime. Mirë është që përveç evidencës së fitimeve të ishin dhënë edhe rrugët e shpenzimeve të këtyre parave. Dhe të mos harrojmë se në këtë rast nuk flitet për vitet 1997 – 1999, por për disa vite më herët, praktikisht për vitin 1993, kur në Shqipëri sapo kishte marrë pushtetin demokracia e dalë nga zgjedhjet e vitit 1992.

“Fitimet e grupeve narkotike shqiptare arrijnë një miliard dollarë amerikan, ku qarkullimi në Kosovë – Metohi sjell nga 125 deri 150 milion dollar, nga të cilët 25 milion i shkojnë K3K. Hashim Thaçi, si pjesë të vetën, fiton 5 milion dollarë amerikan”.[3] Dhe menjëherë përsëri akuza përqendrohet tek Hashim Thaçi i cili fiton jo pak, por plot 5 milionë dollarë në vit, kurse UÇK-ja deri 150 milionë. Ah sikur vërtetë të kishte UÇK-ja 150 milionë dollarë gjatë luftës, sa gjëra do të kishin shkuar plotësisht ndryshe. Dhe jam i sigurt se këtë e di edhe Serbia me gjithë Dick Martyn, por u intereson ta ndërtojnë frazeologjinë në mënyrë të tillë. Me rëndësi është të jepen shifra që të bëjnë përshtypje tek lexuesit, nuk ka rëndësi sa të vërteta janë ato. “Shqiptarët kanë themeluar një nga organizatat më të mëdha për kontrabandën në Evropë ndërsa fitimi i arritur me tregtinë ilegale “pastrohet“ nëpër 200 banka private”.[4] Ja edhe një shifër tjetër, që nëse do të kishin gjithë këto të ardhura shqiptarët do ta kishin blerë edhe Serbinë e do t’i kishin nxjerrë serbët të silleshin rrugëve të botës.  “Krahas tregtisë së drogës, kriminelët shqiptarë merren edhe me prostitucion, me reketim, me tregtinë e përhapur gjerësisht të armëve, si dhe me organizimin e lypjes dhe të vjedhjes së xhepave në të cilën, me anë të keqpërdorimit dhe keqtrajtimit të vazhdueshëm, kanë angazhuar fëmijët e blerë nga familjet në Shqipëri, me një çmim prej 1 000 dollarë për fëmijë”.[5] (Vijon)

[1] Po aty faqe 39

[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet sekrete”, Beograd, 2004, faqe 39 – 40, botimi serbisht

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 40, botimi serbisht

[4] Po aty faqe 41

[5] Po aty faqe 41

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i njohur argjentinas Carlos Tevez nuk ka ndërmend të…