Forcat qeveritare siriane rimarrin qytetin e Manbixhit

28 dhjetor 2018 | 15:12

Forcat qeveritare siriane hynë në qytetin Manbixh për herë të parë në gjashtë vjetët e fundit, pasi një milici kurde i bëri thirrje Damaskut për të mbrojtur qytetin nga kërcënimi i një ofensive ushtarake turke.

Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga një milici kurde e mbështetur nga ShBA-ja, morën qytetin e Manbixhit nga militantët e Shtetit Islamik më 2016.

Turqia e sheh këtë formacion ushtarak të kurdëve si dorë e zgjatur Partisë së Punës Kurdistane e cila është e ndaluar në Turqi, si dhe është zotuar se do ta shkatërrojë atë.

Vendim i Forcave Demokratike Siriane për të bashkëpunuar me Qeverinë siriane, vjen pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 12 dhjetor, ka vendosur të tërheqë të gjitha trupat amerikane nga Siria.

Ushtria siriane tha të premten se flamuri sirian u ngrit në qytetin e Manbixhit dhe se do të garantojë sigurinë “për të gjithë qytetarët e Sirisë dhe të tjerët që janë të pranishëm në rajon”.

Rusia e ka përshëndetur këtë veprim. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka thënë se prania e trupave qeveritare do të “ndihmojë në stabilizimin e situatës”.

Rusia është një mbështetëse kryesore e qeverisë siriane në luftën shtatëvjeçare, ndërsa Turqia ka mbështetur grupe rebele që luftojnë kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vrasja në detyrë e një pjesëtari të Policisë së Kosovës…