Forcat ukrainase tërhiqen nga Severodonjecku

24 qershor 08:22

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili nisi më 24 shkurt, po hyn në muajin e katërt, me luftime të përqendruara tashmë në rajonin lindor të Ukrainës, në Donbas.

Këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych tha se luftimet në Donbas “kanë arritur një kulm të frikshëm”. Sulmet e Rusisë kanë në shënjestër qytetet fiqnje të Severodonjeckut dhe Lisiçanskut, pozicionet e fundit të mbetura nën kontrollin e forcave ukrainase në provincën e Luhanskut.

Të premten, Guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai tha se trupat ukrainase do të “duhet të tërhiqen” nga qyteti i Severodonjeckut, që tashmë është kryesisht nën kontrollin e forcave ruse.

“Të qëndrosh në vende të shkatërruara për shumë muaj vetëm për hir të qëndrimit atje nuk ka kuptim,” tha guvernatori Serhiy Gaidai.

Sulmi i Rusisë ka çuar në një kundërpërgjigje të paprecedentë nga Perëndimi, me sanksione që synojnë sektorin financiar, energjetik dhe të turizmit rus, ndër të tjera.

Të dielën, udhëheqësit e vendeve të G7-s do të takohen në Gjermani për të formuluar më tej përgjigjen e tyre ndaj sulmeve të Rusisë. Javën e ardhshme, anëtarët e NATO-s do të takohen në Spanjë për të diskutuar sigurinë e ndërsjellë në mes të pushtimit, me Finlandën dhe Suedinë që kërkojnë t’i bashkohen aleancës.

Liderët e Bashkimit Evropian vendosën t’i jepnin Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar për anëtarësim në bllokun prej 27-vendesh. BE-ja ka qenë kryesisht e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke miratuar sanksione ekonomike të paprecedentë kundër Moskës. Vetëm katër ditë pasi Rusia nisi luftën e saj, Ukraina aplikoi për t’u bërë anëtare e BE-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë “një moment unik dhe historik” në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. “E ardhmja e Ukrainës është në BE”, shkroi ai në Twitter./rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar një…