Forcohet bashkëpunimi trepalësh Kosovë – Shqipëri – Kroaci në mbrojtjen e të dhënave personale
Agjencia për Informim dhe Privatësi, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Shqipërisë dhe Agjencia Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilluan një takim dy-ditor të përbashkët pune, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e qasjeve të përbashkëta në ushtrimin e mandateve përkatëse.
Takimi shërbeu si platformë për shkëmbim të strukturuar të përvojave dhe praktikave, përmes prezantimeve të ndërsjella dhe diskutimeve mbi çështje konkrete, duke adresuar sfidat aktuale dhe nevojën për qasje të harmonizuara në nivel rajonal.
Gjatë takimit u trajtuan, ndër të tjera: prezantimet mbi praktikat dhe instrumentet kryesore të autoriteteve në ushtrimin e mandatit; trajtimi i rasteve konkrete dhe zbatimi i standardeve në praktikë; përdorimi i sistemeve të vëzhgimit me kamera dhe implikimet për privatësinë; mekanizmat e transparencës institucionale dhe balancimi me mbrojtjen e të dhënave; forcimi i zbatimit të ligjit dhe përgjigja ndaj zhvillimeve teknologjike.
Ky bashkëpunim trepalësh reflekton një orientim të përbashkët strategjik drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe harmonizimit me standardet evropiane, në funksion të rritjes së besimit publik dhe mbrojtjes efektive të të dhënave personale.



