Foshnja e vetme e prekur me Covid-19 lirohet nga QKUK-ja

14 korrik 2020 | 16:12

Një foshnje e cila ishte në trajtim në repartin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) është liruar nga spitali.

Lajmin për “Klan Kosova” e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci.

Gojnovci ka thënë se foshnja ka lindur më 22 qershor të këtij viti.

Ai ka theksuar se trajtimi i foshnjës në këtë klinikë është bërë nga data 6 korrik.

“Foshnja ka lindur më 22 qershor në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, pastaj është liruar në gjendje të mirë shëndetësore, ka shkuar në shtëpi. Më 6 korrik, është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë me temperaturë që ka pas problem dhe me sistemin respirator. Pas anamnezës që i është marrë nga nëna, e cila konfirmon se ka pasur anëtarë të familjes me Covid-19 pozitiv, ne kemi kontaktuar organet kompetente pranë QKUK-së, i kemi marrë mostrat nga foshnja dhe nëna, në këtë rast kanë rezultuar të dy pozitivë”.

“Menjëherë foshnja është transferuar në kujdesin intensiv në hapësirën e veçantë të Klinikës së Neonatologjisë ku është rezervuar të merr kujdes vetëm kjo foshnje. Foshnja është trajtuar fillimisht me oksigjen, sipas protokollit. Pas dy ditësh i është ndërprerë temperatura dhe ka filluar të përmirësohet, janë bërë edhe ekzaminimet radiologjike të cilat dje ku është përsëritur ekzaminimi dhe nuk vërehen ndryshime, që dmth është përmirësuar sistemi respirator. Sot foshnja është liruar nga Klinika e Neonatologjisë me gjendje të përmirësuar dhe është pranë prindërve”, ka thënë Gojnovci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Infrastrukturës ka publikuar raportin “Dekada e sigurisë rrugore…