Foto spektakolare nga shpërthimi i një ylli | NASA publikon imazhe të reja të kozmosit të largët

12 korrik 2022 | 21:55

Agjencia Hapësinore amerikane (NASA) publikoi sot grupin e plotë të fotografive të para me ngjyrë, të realizuara nga teleskopi hapësinor “James Webb”, duke përfshirë fotografinë e një ylli që po shuhet. Një ditë më parë NASA ndau vetëm një fotografi, ku shfaqeshin si kurrë më parë, yjet dhe galaktikat që ndodhen në thellësi të universit.

Fotografitë e publikuara sot nga agjencia hapësinore NASA:

“Mjegullnaja e Unazës Jugore”, që njihet edhe si “Tetë-Shpërthimet”. Rreth 2500 vjet-drite larg, në fotografi shihet një re gazi në zgjerim që rrethon një yll që po shuhet. Një vit-drite është rreth 9 trilionë kilometra.

“Mjegullnaja Carina”, rreth 7 mijë e 600 vjet-drite larg. Një vit-drite është rreth 9 trilionë kilometra.

“Pesë galaktikat në kërcim kozmik”, 290 milionë vjet-drite larg. “Stephan’s Quintet” u diktuan për herë të parë para 225 vjetësh në yjësinë Pegasus.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden tha se teleskopi ishte “një dritare e re në historinë e universit”.

Teleskopi me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh, më i madhi dhe më i fuqishmi i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, arrin të vëzhgojë më në thellësi të universit se kurrë më parë.

Shkencëtarët i krahasojnë imazhet që teleskopi arrin të kapë “me një vështrim pas në kohë”. Kjo për shkak se ai mundëson të shihen galaktika që ndodhen aq larg, sa që dritës që vjen prej tyre, i duhet miliarda vjet për të arritur tek teleskopi.

Teleskopi “Webb” mund të kapë dritën që u krijua menjëherë pas asaj që njihet në astronomi si teoria e “Big Bang-ut”, “Shpërthimit të Madh”, e cila shënoi momentin e krijimit të universit.

“Webb”, pasardhës i teleskopit hapësinor “Hubble”, është rreth 100 herë më i ndjeshëm se paraardhësi i tij 30-vjeçar.

Teleskopi është aq i përpiktë, sa shkencëtarët do të jenë në gjendje të shohin përbërjen kimike të planetëve që ndodhen në thellësi të hapësirës e të përcaktojnë nëse ata janë të jetueshëm ose jo.

Gjatë konferencës për shtyp Nënpresidentja Kamala Harris tha se teleskopi do të “forconte njohuritë që shkenca ka sot lidhur me origjinën e universit, sistemit tonë diellor dhe ndoshta vetë jetës”.

Teleskopi u lëshua më 25 dhjetor nga Guiana franceze në Amerikën e Jugut. Ai përshkoi 1.6 milionë kilometra, përpara se të fillonte të kapte imazhet e para.

Administratori i NASA-s Bill Nelson tha se imazhet e ardhshme do të sigurojnë një vështrim edhe më të thellë në origjinën e universit me pamje që i takojnë 13.5 miliardë viteve më parë.

Shkencëtarët do ta përdorin teleskopin “Webb” për të studiuar yjet, galaktikat dhe planetet që ndodhen në skaje të kozmosit, si dhe do të ofrojnë pamje më të detajuara të objekteve që ndodhen më pranë nesh, duke përfshirë sistemin tonë diellor./ VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avioni më i madh në botë, Airbus A380, i shpallur…