
(Foto / Videoreportazh, nata XLIV në Prishtinë) Shiu dhe masat anti Covid nuk e parandalojnë qarkullimin në Prishtinë
Qarkullimi i qytetarëve dhe veturave ka qenë i madh edhe në natën e dyzetë e katërt të masave parandaluese të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën kundër virusit Korona. Shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë deri në orët e vona dhe masat parandaluese nuk e kanë ndalur këtë qarkullim.
Në kohën e raportimit (23:05) në rrugët kryesore të kryeqytetit janë vërejtur lëvizje të mëdha, derisa në hyrje-daljet e qytetit shpejtësia e veturave si zakonisht ka qenë e madhe. Ndërsa kontrollet e policisë deri në këtë kohë nuk janë vërejtur fare, raporton “Epoka e re”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar gjithsej 494 mostra prej të cilëve rezultojnë 141 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 11.686 raste nga 44.927 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 416 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 219 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 7.562 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.708.
(Epoka e re)