Franca u bën thirrje qytetarëve të saj për kujdes teksa rritet zemërimi për karikaturat

27 tetor 2020 | 16:28

Franca ka paralajmëruar qytetarët e saj, që jetojnë apo udhëtojnë në disa shtete me shumicë myslimane, të jenë tejet të kujdesshëm në kohën e zemërimit të rritur për shkak të disa karikaturave të shfaqura të Profetit Muhamed.

Ministria e Jashtme e këtij shteti, u ka bërë thirrje qytetarëve francezë në Indonezi, Bangladesh, Irak dhe Mauritani, që të qëndrojnë larg nga secila protestë që mund të zhvillohet rreth këtyre karikaturave, si dhe të qëndrojnë larg organizimeve publike.

Ambasada franceze në Turqi ka nisur kërkesë të ngjashme për qytetarët e saj atje.

Më 27 tetor në Bangladesh, dhjetëra mijëra protestues kanë mbajtur fotografi të presidentit francez, Emmanuel Macron me fjalët: “Macron është armiku i paqes”.

Në Iran, Ministria e Jashtme ka ftuar për intervistim të dërguarin francez në këtë shtet lidhur me karikaturat, kanë raportuar mediat shtetërore iraniane ditën e martë.

Zemërimi është ngjallur pas një sulmi me thikë jashtë një shkolle franceze më 16 tetor, në të cilin një burrë me origjinë çeçene i ka prerë kokën mësuesit Samuel Paty, i cili u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi rreth lirisë së shprehjes.

Karikaturat – të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona – shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Presidenti rus, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një prej kritikëve më të ashpër të Qeverisë franceze, duke bërë thirrje për bojkotim të produkteve ushqimore franceze. Përveç kësaj, ai i ka bërë thirrje Macronit të kontrollojë shëndetin e tij mendor, si dhe ka akuzuar Francën për agjendë kundër Islamit.

Franca është eksportuese e madhe e produkteve bujqësore në shumë shtete myslimane./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
28 tetori po sjell ngjarjen më të rëndësishme të blerjes…