
Frankfurti fiton Ligën e Evropës
Frankfurt është fituese e Ligës së Evropës për sezonin 2021-2022. Sfida ishte tejet e hapur dhe për të përcaktuar triumfuesin nuk mjaftuan 120 minuta. Më të saktë nga pika e bardhë ishte skuadra e Bundesligës që shënoi me Lenz, Hrustiq, Kamada, Kostiq dhe Borre.
Në krahun tjetër, djemtë e van Bronckhorst gabuan me Ramsyen, ndërsa nuk falën Tavernier, Davis, Arfield dhe Roofe.
90 minutat e para përfunduan 1-1. Në Sevilla, rastin e parë konkret e patën skocezët. Në minutën e 26-të, Aribo provon me një goditje nga distanca, por nuk gjen rrjetën.
Në të 30-tën, gjermanët tregojnë se janë në lojë. Ishte pikërisht i zakonshmi Filip Kostiq që tregohet mjaft i rrezikshëm me lëvizjet e tij. Gjithsesi, tentativa e tij shkoi shumë larg shtyllës së djathtë.
Aribo do zhbllokonte sfidën në minutat e para të pjesës së dytë. Futbollisti do përfitonte pas një kthimi topi të gabuar nga kundërshtarët, për të dërguar topin në rrjetë.
Ekipi i Glasner do vendoste ekuilibrat me Borre, pas një pasimi të Kostiq.
As shtesat nuk prodhuan fitues. Pavarësisht rasteve ekipet iu drejtuan pikës së penalltisë. Mundësia më e mirë në këtë 30 minutësh do ishte e Ryan Kent, por Trapp i tha jo, duke çuar gjithçka në 11-metërsha.