FRIKA DHE PARAJA SI PUSHTETE TË FRIKSHME PSE NJERËZIT I DUAN TIRANËT

18 korrik 2018 | 14:32

Jakup Krasniqi

Para ca kohësh lexova një shkrim në mediet tona. Me titull të shkrimit (“Pse i duam tiranët”) mund të gjendet lehtë në internet.
Autori për ketë çështje sillte shumë argumente. Por, kjo çështje mund të thuhet edhe me pak fjalë: Prej frike! Populli ynë thotë: “Tuta e ruan vneshtën”.

Me këtë rast po sjell vetëm disa argumente. Po të mos ishte frika shumica e njerëzve nuk do t’i besonin as Zotit. Frika nga fuqia e të gjithë pushtetshmit bën që njerëzit t’i nënshtrohen edhe verbërisht. Madje shumë njerëz edhe krimet më monstruoze i bëjnë në emër të Zotit! Duke e përgjakur Lindjen dhe Perëndimin! Në mbrojtje të të gjithëpushtetshmit! Kur ai fare nuk ua ka nevojën mbrojtjes së tyre. Zoti ka aq fuqi për t’u mbrojtur vetë, sa nuk i duhet ndihma e asnjë çapaçuli tokësor për ta mbrojtur atë që ka pushtet mbi gjithë kozmosin! Në fakt, ata me ato veprime kundërnjerëzore e mbrojnë pushtetin e akëcilit tiran.

Për këtë çështje Skënderbeu në fjalën e tij të fundit të para 550 viteve thoshte: “Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues, i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt.”(Cituar sipas Stephan Zannowich: “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt, 1779). Kjo është thënë në kohën kur besohej goxha shumë. Prandaj është thënie në plotëkuptimin e fjalës më shumë se njerëzore. Është thënie që shtrihet në të gjitha kohërat e gjithë hapësirën jetësore. Bota nuk është në krizë aq të madhe për shkak të mosbesimit, por për shkak të grykësisë të përbindëshave njerëzorë që sundojnë kudo ku mundin me tirani kundërnjerëzore. Tiranet që i duam qoftë nga frika apo paraja, janë të pa komb, të pa atdhe e të pa fe, ata shfaqen kudo ku gjejnë terren e qyqarllek njerëzor.

Pra, shumica e këtyre njerëzve, që s’lanë gjë pa bërë në emër të Zotit, po të njëjtin asnjë porosi të tij, që dalin nga librat e shenjtë, për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë, për të mos gënjyer e mashtruar, për të jetuar e punuar me nder, për të respektuar jetën e çdo njeriu e sidomos të fëmijëve që janë ripërtëritja më fisnike e njerëzimit, që sot janë viktimat më të dhimbshme, si në Lindje e ashtu edhe në Perëndim, ata nuk përfillin ose i përfillin një pakicë e njerëzve. Këta tipa nuk janë asgjë tjetër vetëm se mashtrues të Zotit! Shkurt, janë njerëz të panjerëzishëm, janë antinjerëz.

Po të njëjtit edhe tiranëve tokësorë nuk ju nënshtrohen për tjetër vetëm pse kanë fuqinë e pushtetit e të parasë. Madje, nuk mund ta themi me saktësi se cilit pushtet i nënshtrohen njerëzit (shumica), pushtetit të dajakut apo pushtetit të parasë. Me ç’po shihet, paraja është pushteti i cili po i bënë njerëzit që t’i duan tiranët e çdo ngjyre e feje, sidomos të lakmitarëve. Këtu është vështirë të thuhet se cila kategori di të përulet më shumë. Intelektualët apo të tjerët!

Pas Luftës së Dytë Botërore e gjithë deri më sot, faktet flasin se intelektualët (shumica) i janë nënshtruar, sipas renditjes, më shumë frikës dhe pastaj parasë. Ky fenomen ka shtrirje në shkallë botërore, pasi edhe në vendet me traditë shekullore demokratike hasim pena të shitura. Këto pena të shitura i shohim edhe atëherë kur akuzohet Kosova (Raporti i Dick Martyt), por edhe atëherë kur e thurin ndonjë ditiramb. Për këta të fundit Skënderbeu thoshte: “Poetëve që do t’ju thurin vargje, për t’ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë…”.

Njerëzve duhet t’u thuhet vetëm e vërteta dhe asgjë tjetër. Mjeda i porosiste fëmijët që të mos gënjenin, se “çdo ndëshkim ishte fort më i mirë/ se rrenacak ndokush me të thirr”. Ai, nuk e merrte me mend se të rriturit e elitave të “larta” guxojnë të gënjejnë.

Në kategoritë e përmendura, që ju nënshtrohen frikës e parasë, nuk hyjnë vetëm ata njerëz që kanë integritet e dinjitet të lartë njerëzor. Njerëzit më luftarakë janë ata që kanë integritet, dije e dinjitet, por të tillët kudo janë pak.
Vetëm të tillët, njerëzit me integritet, dinjitet e karakter të fortë i bëjnë ndryshimet në shoqërinë njerëzore. Por, ndryshimet vijnë ngadalë, thotë një urti popullore. Ndonëse, më mirë ngadalë sesa hiç.

Së fundi, në vendet ku nuk sundon ligji, demokracia është tirani e individit. Ndërsa aty ku sundon ligji, vazhdon të jetë tirani e shumicës, kuptohet aty ku nuk përfillet pakica. Konstatime të tilla vijnë nga Platoni dhe është përsëritur shumë herë deri më sot nga teoricienët e demokracisë si sistem shoqëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe kryetari i…