Frikësohem se do ta kemi në Kosovë një skenar që e kishim në vitin 1997 në Tiranë

30 maj 2020 | 08:15

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar analisti Milaim Zeka. Gjatë fjalës së tij Zeka foli për situatën politike në Kosovë. Ai paralajmëroi se në Kosovë do të shpërthejnë trazirat dhe mund të ketë një skenar të ngjashëm me atë të vitit 1997 në Shqipëri.

Për ta qetësuar situatën, Zeka sugjeroi që partia Lëvizje Vetëvendosje, e cila drejtohet nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ta presë me qetësi vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe të përgatitet për të hyrë në zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm. Ndërsa theksoi se Avdullah Hoti (kryeministri që pritet ta marrë detyrën) ka të gjithë targetin për të negociuar me Serbinë dhe Brukselin për liberalizimin e vizave dhe, sipas tij, kjo gjë do të ndodhë.

Analisti kishte një replikë për kolegun e tij Andi Bushati dhe avokatin Spartak Ngjela. Sipas tij, thirrja që Bushati ka bërë në studiot televizive për djegie dhe trazira është e gabuar dhe nuk mund të tolerohet në vende të ndryshme të botës. Ndërsa për avokatin Ngjela, replika e tij u drejtua për një deklaratë të avokatit ku thotë se “Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vrarë vullnetin e popullit”. Sipas Zekës, ata 85 deputetë në Kuvendin e Kosovës janë aty për ta përfaqësuar vullnetin e popullit, ndaj për këtë arsye, sipas tij, kjo deklaratë e avokatit është e gabuar.

“Shqetësimi më i madh i imi është që në Kosovë jo që mund të ketë trazira, por është skenar për një luftë qytetare dhe këtë skenar ka disa javë që po e përgatit qeveria në pushtet e Albin Kurtit. Nuk ka ndodhur në histori të njerëzimit, të paktën në Kontinentin Evropian, ku qeveria dje ka mbledhur protesta kundër qeverisë. Në një moment i humbi qëllimi se përse kishin dalë në shesh dhe brohorisnin poshtë qeveria. Unë shumë frikësohem se do të kemi një skenar që e kishim në vitin 1997 në Tiranë. Shqetësimi im është ende më i madh kur shihen zëra të njerëzve përgjegjës nga Tirana, qoftë publicist, qoftë politikan, qoftë avokat të tipit Andi Bushati, i cili mbrëmë në studion e Top Channel thërriste për revoltë, për revolucion, për djegie të zyrave të qeverisë, për djegie të makinave të qeverisë. Por, nuk mund ti të jesh i çmendur dhe të thuash jam demokrat. Albin Kurti dhe Andi Bushati mund të protestojnë me këmbë të para dhe të mbrapme, por nuk mund të bëjnë thirrje për djegie të makinave e për djegie të makinave të presidentit sepse ato janë akte të dhunës, janë akte terroriste dhe janë të dënueshme me çdo ligj botëror. Le të shkojë Andi Bushati në Suedi ose në Berlin e të provojë të djegë makina të zyrtarëve dhe më pas do ta shohim reagimin. Edhe avokati Ngjela, që gjithçka është, por vetëm avokat nuk është, thotë se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të gabuar dhe ka vrarë vullnetin e popullit. Po ata 85 deputetë në parlament, vullnetin e kujt e përfaqësojnë? Vullnetin e qytetarëve, votuesve, popullit.

Gjakderdhja mund të shmanget vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, duke bërë thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta të përgatitet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në marsin e vitit të ardhshëm. Kjo është një qeveri transitore, që do të futet në dialog menjëherë me Serbinë, do të futet në dialog me Brukselin për liberalizimin e vizave”, ka shprehur mendimin Zeka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës ka bërë…