Fryma që përcjell njohja diplomatike e Izraelit

02 shkurt 2021 | 16:15

Edon Qesari

Njohja e mëvetësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Shtetit të Izraelit është, para së gjithash, pasojë e një “çarjeje” doktrinore. Një akt i tillë, pikërisht se i ndërmarrë pas inkurajimit (aspak për t’u shpërfillur) të administratës së ish-presidentit amerikan D. Trump, bart tipare të furishme personalizuese. Është, përpos, një shkëmbim njohjesh diplomatike që zotëron vlerë të rëndësishme funksionale për Prishtinën zyrtare; e cila, prej disa vitesh, vuan pasojat e një instrumenti të pazakontë (e disi të paqartë) të marrëdhënieve mes shteteve: çnjohjen ose tërheqjen e njohjes së shpallur paraprakisht.

Çka bën që kjo “sipërmarrje izraeliane” të ketë mbase edhe më vlerë se vetë pesë njohjet e mangëta për Prishtinën në zemër të BE-së; të cilat, pikërisht se i kundër-peshon, Izraeli i ngacmon e i paralajmëron.

Njëkohësisht, e veç në dukje paradoksalisht, kjo njohje e Kosovës është vijim i suksesshëm i një përpunimi të gjatë dhe të ngadaltë politik, me shumë llogaritje dhe të papritura, që shkon përtej qeverive të fundit në Uashington, Jerusalem a gjetkë. Larg të qenit objekt për mburrje të gjithëfarëllojshme elektorale pra, askush dhe asgjë në Prishtinë (e aq më pak në Tiranë), ka se ç’të krenohet me këtë arritje. Siç mund të gjykojë çdo mendje e aryeshme, meritat jane të tjetërkujt e adresa gjendet tjetërkund.

Si akt diplomatik është vërtet rezultat i një çasti, por si i tillë, ky i fundit është kulmor – e drejt tij është lypur punë e plot çaste të tjerë, ngjitës e zbritës, ca në hije e ca në gjysmëdritë. Mund i gjatë pra, që nuk e ka ndërmarrë as qeveria Hoti, e as ndonjë éminence grise pranë saj; por një sërë kancelarish, zyrtare por jo vetëm, që herë pas here, shembin doktrina të kalcifikuara duke skalitur të tjera në murin ku varet harta e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Izraeli, si shumica – në mos tërësia – e vendeve perëndimore mosnjohëse të mëvetësisë kosovare, nuk e kish kryer këtë hap deri më tash pasi ishte druajtur se një rast i tillë do të shërbente si shembull frymëzues për rrethana shtetërore të ngjashme me ato në ish-Jugosllavinë e vitit 1999, ku një entitet i brendshëm mëton vetëqeverisje apo mëvetësi të plotë. Dokrtina e precedentit ftonte të qëndroje në pritje, të paktën deri sa Prishtina dhe Beogradi të mbërrinin në një ujdi.

Të njëjtin shqetësim, dihet, kanë pasur Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia – rast sui generis është Greqia, por pikërisht për këtë arsye ajo mund të jetë vendi i ardhshëm i rëndësishëm që ndjek Izraelin në njohjen e Kosovës (edhe sepse, ndryshe nga koleget e tjera të BE-së, Athina e ka kaluar, në rastin e marrëveshjes së Prespës, përvojën e shkallmimit të status quo-së).

Megjithëkëtë, Izraeli është shtet i cili, ndryshe nga gjithë sa renditëm më sipër, mëton vetë të përftojë njohje diplomatike: specifikisht nga vende të pellgut ndërkontinental arabik dhe mysliman, nga Mauritania në Pakistan. Për dekada me radhë, ky shtet imcak i Lindjes së Mesme ka mbijetuar në një rajon ku ekzistencën e tij nuk e njihte askush. Përjashtim i rëndësishëm kanë qenë Egjipti dhe Jordania, të cilët, në bazë traktatesh me rëndësi epokale nëmes viteve 1970-1990, kanë shkëmbyer njohje diplomatike me Izraelin duke vendosur marrëdhënie formale me të.

Jo më pak rëndësi kanë ato raste që në zhargon cilësohen si marrëdhënie të kufizuara, të mbajtura mes Jerusalemit dhe atyre vendeve, nga i njëjti pellg arabik-mysliman, që nuk e njohin diplomatikisht atë; por kjo nuk i pengon të kultivojnë shkëmbime jo-formale (tregtare kryesisht, por edhe turistike pasi këto vende pranojnë pasaportën izraeliane).

Pikërisht në këtë listë të dytë bënin pjesë shtete si Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sudani dhe Maroku, të cilët, veç vitin e shkuar pasi u firmosën Marrëveshjet e pagëzuara Abraham, formalizuan marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke shënuar kësisoj stinën më të pasur të njohjeve, që nga krijimi i shtetit izraelian më 1948, prej kryeqytetesh arabe dhe myslimane.

Një sukses i këtyre përmasave duket se ka ardhur edhe pas shtysës së rëndësishme të administratës amerikane të deri pak ditëve më parë.

E për hir të së vërtetës, në krahasim me të tjera linja të politikës së vet të jashtme, veprimtaria e ish-presidentit Trump në atë cep të nxehtë të Lindjes së Mesme të shenjuar nga konflikti arab-izraelian nuk ka hasur shtrëngata të mëdha kritikash nga kundërshtarët politikë të republikanëve. Vetë zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, që për disa kohë nxiti reagime të vrazhda ndërkombëtare, duket se u pranua në heshtje nga demokratët – të cilët vetë, sidoqoftë, i kishin dhënë OK-jin në letër, që në vitet e presidentit Clinton, këtij transferimi që Trump-i veç e kreu në praktikë. Presidenti Biden as që duket se ka ndërmend ta kthejë mbrapsht një vendim të tillë, aq më pak të dalë “sponsorizimin” nga Uashingtoni të njohjeve të Izraelit ndër vendet arabe.

Për më tepër – e kjo është pika më e rëndësishme që vlen për më poshtë – këto njohje janë thjesht vulosje të një procesi të ngadaltë, por të vendosur, vendosjeje marrëdhëniesh jo-formale të gjithanshme. Shtetet, veçanërisht në botën e sotme, janë noterizues të atyre hulumtimeve në terren që ndërmarrjet e mëdha jo-shtetërore kryejnë prej dekadash. Edhe doktrinat shtetërore, megjithëse më konservatore se fjalëkalimet e bizneseve, herët a vonë ndjekin po ato hapa.

Për t’u kther tek njohja e ndërsjellë diplomatike mes Prishtinës dhe Jerusalemit, vlejnë të theksohen dy pika tejet të rëndësishme:

In primis, pavarësisht formalizimit të pakryer të njohjes, Republika e Kosovës ka gëzuar vëmendje jo të paktë nga segmente të ndryshme jo-shtetërorë (tregëtarë më së shumti), të cilët në territorin kosovar janë prej vitesh të pranishëm, qoftë dhe në funksion ndikues mbi qeveritë përkatëse (qeveri të cila, kryesisht për ato arsye doktrinore që theksuam më sipër, ende nuk e njohin formalisht Kosovën). Izraeli ishte mes tyre dhe stina e “njohjeve nga ana e vendeve arabe dhe myslimane”, që rastis të jetë edhe mot d’ordre i kryeministit Netanjahu në prag zgjedhjesh, veç rroku rastin për të shtënë në dorë një tjetër gur.

Së dyti, pikërisht se marrëdhëniet nën-shtetërore dhe ato mbi-shtetërore veprojnë në harkun e gjatë kohor – pavarësisht nga qendrimet zyrtare dhe shpesh duke i anashkaluar ato – ndikimi mbi linjën zyrtare ka dëshmuar se është plotësisht i mundshëm. Në ditën e sotme, kur politikat e jashtme nuk janë prodhim i përveçm zyrtarësh publikë, por edhe i marrëdhënieve me jashtë që lëvrojnë operatorët privatë, kurorëzimi i interesave izraeliane në Ballkan me njohjen reciproke mes Prishtinës dhe Jerusalemit, mund të shfrytëzohet në të tjera drejtime.

Pa shqyrtuar kundërpedalin e fuqishëm diplomatik – postjugosllav – serb (që nuk do të thotë se nuk i japim rëndësi, porse ai atje është, i dukshëm e në dritë të diellit), mund të përpiqemi të shohim përtej.

Rasti i Greqisë është emblematik për shembull, pasi bëhet fjalë për një shtet ballkanik që nuk e njeh mëvetësinë e Kosovës për shkaqe të mirëfillta marrëdhëniesh të kalcifikuara shtetërore (çështja qipriote së pari, por dhe një traditë e konsoliduar afërsie me Beogradin). E megjithatë, qeveria aktuale greke duket se, në disa aspekte, sillet jo fort tradicionalisht. Nuk ndërmerr nisma të forta, por njëkohësisht i çon në vend ato që tjetërkush i ka shpallur. Ndonëse ajo erdhi në pushtet edhe si pasojë e retorikës kundërshtuese ndaj marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës së ish-kryeministrit Cipras (prej nga “lindi” Maqedonia e Veriut), qeveria e z. Micotakis as që e çoi nëpërmend ta kthente atë mbrapsht.

Në të njëtën kohë, megjithëse Greqia ka një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur marrëdhëniesh me vendet arabe, afrimi historik me Izraelin (veçanërisht në rrafshin e bashkëpunimit ushtarak) që lulëzoi sërish gjatë qeverisjes së z. Cipras, veç u thellua nga pasardhësi i tij. Vështirësia e marrëdhënieve si të Greqisë dhe të Izraelit me Turqinë, natyrisht, ka luajtur një rol të dorës së parë në këtë afrim të rëndësishëm mes dy vendeve. Porse, nga ana tjetër, lëvizje të tilla dëshmojnë edhe një vullnet për të mos mbetur peng skemash doktrinore. Nëse këtyre i shtojmë ndikimin e ndërsjellë mes dy vendeve mesdhetare dhe vetë praninë në rritje të interesave tregtare greke në Kosovë, vizita e ministrit të jashtëm Dendias në Prishtinë, pak muaj më parë, nuk do të quhej një lëvizje bosh në tavolinën e shahut. Sidomos nëse marrim parasysh “zellin” e një prej pararendësve të tij, z. Kocias, që më shumë se kushdo ka punuar për kapërcimin e impasse-ve mes Athinës dhe vendeve të saj fqinje.

Gjithmonë duke pasur parasysh se këto “punë”, aq delikate për Prishtinën, është mirë t’i marrë përsipër tjetëkush, e t’i lihen kohës, e cila zgjat zakonisht më shumë se një mandat qeverisës (që në Kosovë, vitet e fundit, ka qenë më jetëshkurtër se një fluturim deri në Uashtington). Që nuk do të thotë se duhet pritur, por se duhet bërë durim.

Përndryshe fryma e prurë nga njohja e Izraelit do të kthehet në plaçkë për pazarin elektoral të radhës; apo akoma më keq, në rast për t’u shfrytëzuar prej butaforisë mediatike-politike në Tiranë, prej nga diplomacia kosovare nuk ka ç’të mësojë, pasi atje analizohen raportet me Athinën nën brohorimate stadiumeve patriotike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 30 mijë persona, që kanë aplikuar për votim jashtë…