Fshati Korishë i Prizrenit futet në karantinë

02 prill 2020 | 22:21

Pas tri rasteve pozitive me Covid-19 në Prizren, dy prej të cilave ishin nga fshati Korishë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që ky fshat të futet në karantinë.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. “Sot, kemi pasur rastin e tretë me virusin COVID-19 në komunën e Prizrenit, respektivisht me vendbanim në Korishë. Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit. Prandaj, me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat. Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë. Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionet është më se i domosdoshëm për luftimin e koronavirusit. Personeli i IKShPK-së në vazhdimësi është duke kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”.

“I ftoj të gjithë kontaktet e personit që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800. Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat. Mbetshi me shëndet!”, ka shkruar Haskuka në profilin e vet në “Facebook”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-Ambasadori amerikan në Serbi, Michael Polt, ka thënë se Kosova…