
FSK-ja po merr pjesë me 1 000 trupa në ushtrimet e “Defender Europe 25”
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur të mërkurën për “Defender Europe 25”, duke theksuar se është ushtrimi më i madh që Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizon në kontinentin e Evropës.
Ai ka theksuar se ushtrimi “Defender 25” po shtrihet në tri zona gjeografike të Evropës, në Evropën veriore, Evropën qendrore dhe Evropën juglindore ku hynë edhe Kosova.
“Në tri këto zona në ushtrime po zhvillohen në kuadër të ‘Defender 25’ angazhohen 25 000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vendeve partnere. Në zonën e Evropës juglindore ku hynë edhe Kosova po marrin pjesë 12 000 ushtarakë nga 19 shtete. Republika e Kosovës është vend nikoqir në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka deklaruar se Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë.
“Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Përveç komandës së Divizionit 28 në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës njësiteve të FSK-së iu bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOWA, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria”, është shprehur Maqedonci, duke shtuar se pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit tonë. “Gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së po zhvillojnë operacione sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Në ushtrim përveç tjerash do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tonë. Republika e Kosovës dhe institucionet e saj po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, ka pohuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë me dije se Forca Ajrore Shqiptare është angazhuar në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, duke luajtur një rol kyç në ndërtimin e një force shumëkombëshe të aftë për të vepruar në mjedise komplekse operacionale.
“Forca Ajrore Shqiptare është angazhuar në stërvitjen ndërkombëtare ‘Defender Europe 25’, duke luajtur një rol kyç në ndërtimin e një force shumëkombëshe të aftë për të vepruar në mjedise komplekse operacionale. Për herë të parë në një stërvitje të tillë është përfshirë detashmenti i mjeteve ajrore pa pilot në këtë nivel. Nga kërkim-shpëtimi me helikopterët Cougar dhe Blackhawk të Bazës Ajrore Farkë, deri te mbështetja e operacioneve tokësore dhe gatishmëria për evakuime mjekësore Medevac/Casevac. Bashkëpunimi rajonal dhe koordinimi me institucione civile si Albcontrol dhe partnerë ndërkombëtarë si FSK në Kosovë, e bën këtë stërvitje një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe gatishmërisë në rajon”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.