Fuqitë Perëndimore paralajmërojnë Sirinë rreth armëve kimike

22 gusht 2018 | 11:10

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al-Assad, të mos përdorë armë kimike, teksa ka filluar fushatë për të fituar kontrollin e provincës së fundit të kontrolluar nga rebelët në Siri.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 21 gusht, tri fuqitë Perëndimore kanë thënë se “ne jemi të përkushtuara të veprojmë nëse regjimi i Assadit përdorë sërish armë kimike”.

Forcat siriane kanë nisur një ofensivë ushtarake në provincën Idlib, pasi kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe të territorit që dikur është zotëruar nga rebelët.

Ata kanë gjuajtur bomba dhe arileri në Idlib, provincë e cila gjendet në kufi me Turqinë dhe njihet si zonë e rebelëve që janë dërguar aty muajt e fundit, për shkak të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila u ka siguruar rebelëve rrugë të sigurt në këtë provincë, në rast të dorëzimit të territorit që dikur kanë kontrolluar në zonën afër Damaskut.

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se “pozicioni ynë për armët kimike të Assadit nuk ka ndryshuar”.

Në muajin prill këto tri shtete kanë nisur sulme ajrore për të eliminuar zonën ku dyshohej se ishin krijuar armët kimike në Siri dhe të cilat ishin përdorur në Douma disa javë më parë.

Assadi ka kundërshtuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike, teksa përpjekjet e fuqive Perëndimore në Kombet e Bashkuara për ta ndëshkuar Sirinë rreth armëve kimike janë sfiduar nga aleati më i madh i Sirisë, Rusia.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pritet që javën e ardhshme të diskutojë për situatën në Siri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti iranian, Hassan Rohani ka premtuar se do të fuqizojë…