Fushatën “Pusho shqip në Shqipëri” ta përkthejmë në “Pusho shqip në Kosovë”

29 shtator 2020 | 11:52

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, ka thënë se me gjithë vështirësitë si pasojë e pandemisë Covid-19, Shqipëria ka përmbyllur mirë sezonin turistik. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Klosi ka bërë me dije se së bashku me kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e agjencive turistike do të vijnë për vizitë këtë javë në Kosovë për ta hapur sezonin vjeshtor në territorin e Kosovës. Sipas tij, fushatën “Pusho shqip në Shqipëri” tanimë duhet ta përkthejmë në “Pusho shqip në Kosovë”.

“Ne do të mbajmë premtimin dhe këtë javë do të jem në Prishtinë së bashku me kryetarët e bashkive, për ta hapur sezonin vjeshtor në zonën e Kosovës dhe nga aty të bëjmë thirrje që ta promovojmë turizmin shqiptar në përgjithësi. Gjithashtu, me mua në Kosovë do të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të hotelerisë dhe strukturash të operatorëve turistikë që fushatën ‘Pusho shqip në Shqipëri’ ta përkthejmë në ‘Pusho shqip në Kosovë’. Pra, që gjithë shqiptarët kudo që janë t’i njohin bukuritë që ka Prizreni, Prishtina, Peja, Gjakova dhe Alpet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Klosi ka thënë se duhet të ketë shumë më tepër promovime turistike nga të dyja vendet që ky bashkëpunim të sjellë më shumë investime në botën e turizmit. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë që të ketë më tepër kapacitete në fushën e turizmit.

“Epoka e re”: Z. Klosi, si ka shkuar sezoni turistik këtë verë në Shqipëri?
Klosi: Në fillim ka qenë një sezon turistik goxha me stres dhe me shumë pikëpyetje, por tani ndihem mirë. Në këtë kohë kur po takohem me ju jam duke bërë edhe një tur falënderimesh për hoteleritë shqiptare të cilat ia dolën të dëshmojnë se ne kemi një strukturë të fortë hoteliere dhe jemi të gatshëm t’i mirëpresim turistët nga shumë vende të botës. Ky vit padyshim se pati një ulje të konsiderueshme të pushuesve që vijnë në Shqipëri nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, por si asnjëherë tjetër pati mbështetje shumë të madhe nga pushuesit nga të gjitha trojet shqiptare, ku shtuan shifra rekorde për bregdetin tonë. Për këtë mund të them se pati një drojë se s’do të jemi si vitin e kaluar, megjithatë në masën më të madhe patëm numër të konsiderueshëm të pushuesve.

“Epoka e re”: Në kuadër të fushatës “Pusho shqip” ju promovuat edhe Kosovën. Kishte interesim nga Shqipëria për të ardhur mandej në Kosovë?
Klosi: Doli shumë interesante fushata që krijuam dhe promovuam së bashku. Unë lansova fushatën së bashku me mikun tim, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë nga Kosova, Vesel Krasniqi, të cilën e quajtëm “Pusho shqip”, për t’u kërkuar pushuesve tanë që t’i njohin pasuritë turistike nga të dyja anët e bjeshkëve. Mendoj se bregdeti shqiptar i takon gjithë shqiptarisë dhe s’ka pse të trajtohet si diçka që i takon Shqipërisë dhe jo Kosovës, pra është një bregdet që perëndia ia ka dhënë të gjithë shqiptarisë.  Prandaj, themi se na duhet shumë që ta pranojmë se kjo pasuri kombëtare duhet të shfrytëzohet dhe të jetë një mbështetje nga të dy krahët e shqiptarisë. Mirëpo, më tepër sesa kaq, ne do ta mbajmë premtimin dhe këtë javë do të jem në Prishtinë së bashku me kryetarët e bashkive, për ta hapur sezonin vjeshtor në zonën e Kosovës dhe nga aty të bëjmë thirrje që ta promovojmë turizmin shqiptar në përgjithësi. Gjithashtu, me mua në Kosovë do të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të hotelerisë dhe strukturash të operatorëve turistikë, në mënyrë që fushatën “Pusho shqip në Shqipëri” ta përkthejmë në “Pusho shqip në Kosovë”. Pra, që gjithë shqiptarët kudo që janë t’i njohin bukuritë që ka Prizreni, Prishtina, Peja, Gjakova dhe Alpet e Kosovës. Besoj kjo është edhe filozofia që ndajmë me kolegët e Kosovës, ministrat atje, që ta kemi komunitetin e të pushuarit shqip pa e kuptuar se ku është kufiri.

 “Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, sa ka kapacitete Kosova për ta zhvilluar turizmin dhe çfarë rekomandimesh keni?
Klosi: Në Shqipëri kemi pak vite, por investimet në botën e hotelerisë janë të fundme, pra nuk janë prej shumë kohësh dhe kjo na ka ndihmuar që të tregojmë se kemi forcë për zhvillimin e turizmit. Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk po ndihet e njëjta valë e cila ka filluar në të gjithë rajonin sa i përket turizmit. Padyshim se edhe pandemia e ka dëmtuar këtë lloj filozofie, por besoj se me kalimin e pandemisë përsëri do të rikthehet lëvizja në mënyrë që të vazhdojë zhvillimi i turizmit. Duhet të ketë shumë më tepër promovime turistike nga të dyja vendet, pra që të kemi më shumë investime në botën e turizmit. Kosova ka nevojë që të ketë më tepër kapacitete në fushën e turizmit.

“Epoka e re”: Z. Klosi, pse nuk vijnë në Kosovë nxënësit e arsimit parauniversitar të Shqipërisë, ashtu siç vijnë këtu ata të Kosovës?
Klosi: Kjo është një praktikë që duhet të bëhet me shumë detyrim në arsimin tonë fillor dhe të mesëm për ta njohur më shumë trashëgiminë kulturore, historike dhe natyrore të përbashkët. Por, përsëri po them se mungesa e kapaciteteve hoteliere bën që operatorët turistikë që merren me këtë biznes e kanë shumë të vështirë të organizojnë aktivitete të tilla. Kosova nuk ka akoma kapacitete komanduese të niveleve të pranueshme që pranojnë turistë me kapacitete të nevojshme për nxënësit e shkollave. Megjithëkëtë, operatorët turistikë para situatës së pandemisë e kanë pasur brenda ofertës së tyre edhe Kosovën.

“Epoka e re”: Çfarë është duke ndodhur me portin e Shëngjinit, u fal apo s’u fal, pasi ekziston njëfarë mjegullie në Kosovë sa i përket këtij porti.
Klosi: Ajo çfarë u intereson qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, është se bregdeti është një dhe i vetëm. Në qoftë se ka një zhvillim të qëndrueshëm në Shëngjin dhe Velipojë, kjo është falë ndjesisë që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë si bregdetin e tyre, dhe aty jo vetëm pushuesit, por edhe një numër i konsiderueshëm biznesesh menaxhojnë me të. Kjo është falë investimeve në Autostradën e Kombit dhe investimeve të faktorit ndërkombëtar. Po ashtu, Kosova ka firmosur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshjen për të pasur një linjë të drejtpërdrejtë me autostradën e Nishit. Ne do të kemi investime në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Sarandë, Vlorë dhe shumë shpejt duhet të mendojmë për shtimin dhe menaxhimin e kapaciteteve tona kombëtare.

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova është…