Futbolli po ndryshon, miratohen rregullat e reja kundër humbjes së kohës
Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka miratuar një paketë rregullash të reja me synim përshpejtimin e ritmit të ndeshjeve dhe luftimin e humbjes së kohës, të cilat do të hyjnë në fuqi në Kupën e Botës 2026 dhe në të gjitha garat e tjera nga 1 korriku i këtij viti. Vendimi është marrë në mbledhjen e 140-të të përgjithshme vjetore të IFAB -it në Hensol të Uellsit.
Ndër ndryshimet kryesore është prezantimi i një numërimi mbrapsht prej pesë sekondash për rivëniet anësore dhe goditjet nga porta. Nëse gjyqtari vlerëson se rifillimi i lojës po vonohet qëllimisht, do të nisë numërimi vizual dhe nëse topi nuk vihet në lojë brenda afatit, posedimi do t’i kalojë kundërshtarit. Po ashtu, lojtarët e zëvendësuar do të kenë vetëm 10 sekonda për të lënë fushën, në të kundërtën, zëvendësuesi do të duhet të presë deri në ndërprerjen tjetër pas një minute loje.
IFAB-i ka vendosur gjithashtu që lojtarët që marrin trajtim për lëndime në fushë të dalin jashtë për një minutë pas rifillimit të lojës, për të shmangur vonesat taktike. Janë miratuar edhe tri ndryshime në protokollin e VAR-it, duke lejuar ndërhyrje në rastet e kartonëve të kuq që burojnë nga një karton i dytë i verdhë i pasaktë, identitetit të gabuar dhe goditjeve nga këndi të dhëna qartësisht gabim.
Edicioni i ri i “Rregullave të Lojës” do të lejojë gjithashtu përdorimin e sendeve jo të rrezikshme nëse janë të mbuluara në mënyrë të sigurt dhe do t’u japë gjyqtarëve mundësinë të mbajnë kamera të montuara në trup. Janë bërë edhe sqarime lidhur me topat e humbur dhe prekjet e dyfishta aksidentale gjatë penalltive, ndërsa IFAB-i ka rënë dakord të hapë konsultime për raste të largimit të lojtarëve si formë proteste dhe për mbulimin e gojës gjatë komunikimit në fushë.



