Futbollistët e Llapit ndihen të fyer nga klubi

01 dhjetor 2019 | 09:30

Drejtuesit e Klubit të Llapit i kanë akuzuar për rezultate jo të mira futbollistët kryesorë Mentor Zhdrella, Sebino Plaku, Behar Maliqi, Afrim Ademi dhe Labinoti Osmani. Këta futbollistë ndihen të fyer nga këto deklarata, pasi janë të bindur se gjithmonë e kanë dhënë maksimumin për Klubin e Llapit. Skuadra nga “Zahir Pajaziti” tashmë është eliminuar nga gara e Kupës, kurse në kampionat ka mbetur dhjetë pikë prapa skuadrës lidere.

 Skuadra e Llapit në këtë edicion të garave nuk ka pasur rezultatet e pritura, pasi është eliminuar nga Digitalb Kupa e Kupës, pasi ka humbur ndeshjen kundër Feronikelit (1-0). Ndërsa edhe në kampionat Llapi nuk i ka punët mirë sepse aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë me 10 pikë më pak se skuadra lidere e IPKO Superligës, Ballkani. Për mosrezultate drejtuesit e klubit kanë akuzuar futbollistët me përvojë. Fillimisht trajneri Tahir Batatina, pas eliminimit nga Kupa, deklaroi se ka gabuar nga fillimi i kampionatit që nuk iu ka besuar më shumë futbollistëve të rinj. Edhe më larg se trajneri ka shkuar nënkryetari i klubit, Amrush Batatina. Ky i fundit ka akuzuar yjet si Mentor Zhdrella, Sebino Plaku, Labinot Osmani e të tjerë si të tepërt në klubin nga Podujeva.

“Jo veç lojtarët nga jashtë, por duke filluar nga Sebino Plaku, Mentor Zhdrella, Behar Maliqi, Afrim Ademi, Labinoti Osmani, kanë qenë tepricë për Llapin dhe duhet shumë shpejt që t’u jepet seanca të rinjve. Ata aty janë veç për lekë e jo për KF Llapin”, ka shkruar Batatina.

Gazeta ka kontaktuar lojtarët e Llapit, por ata nuk kanë qenë të gatshëm të flasë për gazetë.

“Nuk po kam dëshirë të flas sepse nuk është situata e mirë në klub dhe çdo deklaratë vetëm e rëndon këtë situatë. Megjithatë, ne si futbollistë jemi të fyer nga deklaratat joprofesionale nga ana njerëzve kryesor në klub, sepse ato nuk janë profesionale për faktin se ne gjithmonë e kemi dhënë maksimumin si në ndeshje, po ashtu edhe në stërvitje”, ka thënë një nga lojtarët e Llapit.

Mirëpo më pas ka folur trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili është e ka “zbutur” pak situatën, duke thënë se deklaratat kanë qenë një eufori pas eliminimit nga Kupa.

“Ka qenë një eufori pas ndeshjes së Kupës, që është shumë normale, asgjë më shumë”, ka deklaruar Batatina.

Skuadra e Llapit ndeshjen e radhës në Superligë e zhvillon në stadiumin “Zahir Pajaziti”, sot (e diele) nga ora 12:55, kundër skuadrës së Flamurtarit. Tri pikë nga kjo ndeshje do t’i këndellnin djelmoshat e drejtuar nga Tahir Batatina të dalin nga kjo situatë e rezultateve negative. Në tri ndeshjet e fundit në elitë kjo skuadër ka pësuar dy humbje nga Drita dhe Prishtina, kurse ka luajtur baras me Ballkanin në Suharekë.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vazhdojnë lëkundjet e tërmetit nē Shqipëri të cilat shpesh herë…