Futbollisti venezuelian humb bashkëshorten në tërmet, ajo sakrifikoi jetën për të shpëtuar vajzën njëvjeçare

26 qershor 2026 | 22:31

Futbollisti venezuelian Héctor Bello ka konfirmuar se bashkëshortja e tij, Andrea Bello, ka humbur jetën gjatë tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën të mërkurën.

Sipas raportimeve, Andrea ndodhej në një ndërtesë që u shemb në La Guaira, ku përdori trupin e saj për të mbrojtur vajzën e tyre njëvjeçare, Alana. Falë këtij veprimi, vogëlushja arriti të mbijetojë, ndërsa trupi i Andreas u gjet pas një operacioni intensiv kërkim-shpëtimi.

I tronditur nga humbja, Bello ndau një mesazh prekës në rrjetet sociale.

“Mamaja jote na la… Si do t’ia them vajzës sime këtë?”, shkroi ai në një InstaStory, duke publikuar fotografi të bashkëshortes.

Në një tjetër reagim në Threads, futbollisti falënderoi të gjithë për mesazhet e mbështetjes, duke pranuar se po kalon periudhën më të rëndë të jetës së tij.

“Do të doja t’u përgjigjesha të gjithëve, por tani po përjetoj një dhimbje që nuk e kam përjetuar kurrë. Po rrjedh gjak pa plagë, po marr frymë, por nuk kam ajër në mushkëri. Jam zgjuar, por nuk ndiej asgjë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet”, shkroi ai.

Tragjedia nuk ka prekur vetëm familjen e futbollistit. Ish-fituesja e konkursit Miss Venezuela 1985, Gisselle Reyes, konfirmoi se nëna e saj, Omaira Reyes, gjithashtu humbi jetën gjatë tërmetit. Sipas saj, nëna ndërroi jetë si pasojë e një sulmi në zemër, ndërsa ndodhej në një nga ndërtesat e shembura.

Autoritetet venezueliane kanë bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar të paktën 235 viktima, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur. Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, deklaroi se shumë prej viktimave kanë mbërritur në spital pa shenja jete ose kanë ndërruar jetë menjëherë pas mbërritjes.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe të plagosurve pritet të rritet.

Për të ndihmuar në gjetjen e personave të zhdukur, janë krijuar edhe platforma digjitale ku familjarët mund të raportojnë të afërmit e tyre, në një situatë të vështirësuar nga ndërprerjet e energjisë elektrike, problemet me telekomunikacionin dhe evakuimet masive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata në Lipjan refuzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e…