G7 zotohet: Një miliard doza kundër Covidit për vendet e varfra

13 qershor 2021 | 17:05

Në Britaninë e Madhe ka përfunduar samiti i shtatë vendeve më të pasura të botës, liderët e të cilave kanë rënë dakord për të adresuar një sërë çështjesh, përfshirë ngrohjen globale, pandeminë e Covid-19 si dhe problemet me Kinën dhe Rusinë.

Samiti i G7-s u mbajt në Kornuall të Britanisë së Madhe.

Ai mblodhi së bashku udhëheqësit e ShBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë.

Në një deklaratë të përbashkët pas samitit liderët thanë se “do të shfrytëzojnë fuqinë e demokracisë, lirisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektit për të drejtat e njeriut për të kapërcyer vështirësitë më të mëdha”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti samitin “jashtëzakonisht produktiv”.

Liderët janë zotuar të dhurojë një miliard doza vaksinash kundër Covidit për vendet e varfra, ka bërë me dije pas samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson.

“Udhëheqësit kanë premtuar mbi një miliard doza, ose drejtpërdrejt ose përmes financimit të COVAX-it”, ka deklarua ai.

COVAX është program global që ndihmon shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfëra.

Johnson ka pohuar se bota pret nga liderët e G7-s që të lëvizin përtej reagimeve fillestare ndaj pandemisë, që sipas tij, ndonjëherë kanë qenë “nacionaliste dhe egoiste”.

Grupi G7 i kërkoi Kinës që të bashkëpunojë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për një hetim “transparent të fazës së dytë” lidhur me origjinën e Covid-19.

“Ne bëjmë thirrje për një studim transparent, të udhëhequr nga ekspertët dhe të bazuar në shkencë”, thuhet në deklaratën përfundimtare të G7-s, pas samitit treditor.

Vendet anëtare të grupit G7 gjithashtu u zotuan se do të kufizojnë në mënyrë drastike investimet në qymyr dhe se do të angazhohen për mbrojtjen e tokës dhe oqeaneve gjatë kësaj dekade.

G7 kritikoi Kinën për shkelje të të drejtave të pakicave, përfshirë punën e detyruar në rajonin perëndimor të Ksinjiangut, si dhe për shtypjen e aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong.

Aleatët e G7-s gjithashtu bënë hapin e parë për shpalljen e një propozimi për investime në infrastrukturë në vendet në zhvillim të quajtur “Build Back Better for the World” (Të rindërtojmë një botë më të mirë).

Presidenti Biden pas përfundimit të samitit të G7-s do të udhëtojë në Bruksel për bisedime me Bashkimin Evropian dhe aleatët e NATO-s.

Udhëtimi i tij në Evropë përfundon më 16 qershor pasi të takojë në Gjenevë të Zvicrës, presidentin rus Vladimir Putin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes së Grupit C mes…