
Gala koncert në Prishtinë me yllin e botës operistike, Ermonela Jaho
Ermonela Jaho, e cilësuar si një nga sopranot më të mira të kohës, dhe dirigjenti i famshëm italian Jacopo Sipari Di Pescasseroli, do të jenë pjesë e gala koncertit më 8 qershor, organizuar nga Opera e Kosovës.
Opera e Kosovës vazhdon misionin e saj për ta ngritur vendin sa më lart në botën e muzikës klasike. Më 8 qershor, ajo shënon një tjetër hap të madh, do të bëjë bashkë instrumentistët me më nam të vendit, pjesë e Orkestrës së Operës dhe Filarmonisë së Kosovës. Peshën këtij koncerti do t’ia shtojë pjesëmarrja e yjeve të elitës botërore operistike: dirigjenti i njohur italian Jacopo Sipari Di Pescasseroli dhe sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho. Një mbrëmje e jashtëzakonshme muzikore nën qiellin e hapur të Prishtinës.
Në koncertin që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, Opera e Kosovës sjell një program me veprat më të njohura të repertorit operistik botëror. Programi përfshin disa nga ariet dhe intermezzot më të fuqishme të kompozitorëve legjendarë si Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi dhe Francesco Cilea.
Ky koncert shënon mbylljen e një sezoni të suksesshëm dhe vjen si dëshmi e përkushtimit të Operës së Kosovës për të sjellë në vend performanca të nivelit më të lartë artistik. Ndërsa me pjesëmarrjen e Jahos dhe Di Pescasserolit, Prishtina bëhet skenë e operës botërore dhe një pikë takimi për dashamirët e muzikës klasike.
Koncerti do të fillojë nga ora 20:30 dhe shitja e biletave tashmë ka nisur: https://ticketing.festtix.co.uk/events/gala-koncert-ermonela-jaho
Çmimet e biletave janë 20 euro për sektorin VIP, 10 euro për sektorin A dhe 5 euro për sektorin B.