Gani Nuha viziton bashkëluftëtarët në Hagë: Në vend t’i mbështesin, Kurti dhe ish-ministrat e tij po i fyejnë dhe ua rëndojnë edhe më shumë barrën

05 korrik 2025 | 20:57

Ish-oficeri i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Nuha, së bashku me Nebih Fazliun kanë vizituar bashkëluftëtarët e tyre që po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilët, sipas tyre, po përballen me padrejtësi të rënda.

Pas vizitës, Nuha ka reaguar ashpër ndaj qasjes së ish-kryeministrit Albin Kurti dhe ish-ministrave të tij, të cilët i ka akuzuar se, në vend që t’i mbështesin luftëtarët e UÇK-së, “po i fyejnë dhe po ua rëndojnë edhe më shumë barrën që ua ka ngarkuar historia”.

“Sa herë futem në dyert e burgut të Sheveningenit, më dhemb shpirti për padrejtësitë që po u bëhen shokëve dhe bashkëluftëtarëve tanë, prijësve të UÇK-së. Por, as qelitë e burgut e as padrejtësia nuk i kanë përkulur as për një çast. Edhe sot i gjeta krenarë, me vullnet e gjallëri, si gjithmonë. Ata e kanë vrarë moti frikën dhe nuk ka vuajtje që i mposht”, shkruan Nuha.

Ai theksoi se pesha e rëndë e kësaj padrejtësie duhet të rëndojë mbi ndërgjegjen e politikanëve të Kosovës, të cilët sipas tij, kanë lënë vetëm heronjtë e luftës në një betejë vendimtare për historinë e vendit.

“Për turpin e tyre, ish-kryeministri dhe ish-ministrat e tij, në vend që t’i mbështesin, po i fyejnë dhe po ua rëndojnë edhe më shumë barrën që ua ka ngarkuar historia”, shtoi ai.

Në fund të reagimit të tij, Nuha u shpreh me bindje se ata që janë prapa grilave në Hagë do të kthehen një ditë fitimtarë.

“Thonë se luftëtarët dhe heronjtë kthehen të fundit në shtëpi. Këtë fat e kanë edhe heronjtë tanë në Hagë – të kthehen të fundit në shtëpi. Por ata do të kthehen fitimtarë dhe më të fortë se kurrë, sepse janë në anën e drejtë të historisë. Ata janë Liria dhe Pavarësia! Ata janë vetë historia!”, përfundoi Nuha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dështuar për të 42-tën herë konstituimi i Kuvendit të…