Garë e nxehtë: A do të kandidojë Enver Hoxhaj për kryetar të PDK-së?

21 qershor 2021 | 22:37

Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së nuk ka treguar nëse do të garojë për të parin e kësaj partie.

Hoxhaj përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për hapjen e garës, megjithatë ka hezituar që të tregojë nese personalisht do t’ia mësyejë kësaj gare për kreun e partisë.

“Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.”, ka shkruar Hoxhaj.

E sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik

Më poshtë gjejeni të plotë postimin e Hoxhajt

Të dashur anëtarë të PDK-së,

Pas një debati të gjatë në të gjitha nivelet e partisë, sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik.

Mohimi i padrejtë që PDK të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, solli një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë.

Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.

Prandaj, si partia më e madhe opozitare në vend, partia më e rëndësishme në Kosovë në 21 vitet e fundit, parti e dalë nga lufta për çlirim dhe e cila luajti rolin kryesor në pavarësimin e vendit, e kemi për obligim dhe detyrë ndaj partisë dhe aktivistëve, ndaj qytetarëve dhe shtetit, që t’i japim fund status-quos dhe të hapim debatin e brendshëm për rrugën përpara.

Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar dhe krahas saj duhet që të ndryshojë edhe PDK-ja, pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi.

Duke u ndjerë dhe sjellë me krenari për të kaluarën tonë të lavdishme politike e shtetndërtuese dhe për punën e themeluesve e kryetarëve të saj, miqve të mi me të cilët kemi rrugëtuar bashkë në këto 30 vitet e fundit, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

Faleminderit! Na priftë e mbara!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Belgjika me në fund e ka gjetur golin e epërsisë…